Aktualitet
Tronditëse/ Gruaja nga Mati dhunohet nga policët: Më rrahën në furgon
Një grua në Mat është dhunuar nga policia. Duke folur për Syri Tv, Violeta Rica ka treguar momentin që kanë shkuar për t’i prishur murin rrethues të pronës private. Në rrëfimin e saj të dhimbshëm, Violeta thekson se Policia e Matit ka ushtruar dhunë makabre ndaj saj brenda furgonit të policisë deri sa ajo ka mbetur pa ndenja.
Rica tregon gjithashtu se edhe pse ishte pa ndjenja në furgonin e policisë, efektivët nuk e kanë dërguar në spital, por është dashur ardhja e kunatës së saj, e cila ka hapur derën e furgonit dhe e ka parë në gjendje skandaloze. Pas kësaj e kanë dërguar në spital.
Intervista:
Rica: Isha duke punuar me bel dhe erdhi policia, njëri furgon u ndal te mani dhe tjetri përballë avllisë. Erdhi Gëzim Murrani dhe hipi te muri mbajtës dhe më tha ‘si je’, duke më zgjatur dorën, ‘s’e meriton dorën time, je tuj hi me hile, pse nuk i lajmërove robt’, i thashë. Në këtë moment më dolën shumë njerëz pas të policisë dhe më kanë marrë me forcë, unë u ula në mur të avllisë, u mbështeta dhe më kanë ushtruar forcë dhe dhunë. Më kanë kapur në krah dhe më është kalbë, dhe gjithë trupi krejt kalbë. Nuk mundem me lujt dhe më fal për shprehjen, por edhe me dalë jashtë nuk mundem.
Pyetje: Cila ishte arsyeja që erdhi policia?
Rica: Me prishë murin e avllisë të pronës.
Pyetje: Çfarë ju komunikuan?
Rica: Asnjë fjalë dhe direkt me forcë kanë prishë murin. Kam marrë telefonin me komuniku me vëllezërit, duke më bllokuar duart bashkë me telefonin. Më kanë marrë me forcë nga muri i avllisë dhe më kanë qitë jashtë territorit dhe më kanë futur me forcë në furgon dhe aty më kanë ushtruar forcë. Ishin shumë policë. Kam qenë pa ndenja dhe nuk e kam kuptuar veten se ku kam përfunduar. Vetëm më kanë ushtruar forcë policët. Katër burra më kanë marrë peshë prej murit të avllisë.
Pyetje: Kush ju solli në spital?
Rica: Ka ardhur kunata dhe ka hapur derën e policisë dhe një polic e ka kërcënuar se përse e hape se s’të lejohet ta prekësh me dorë.
Pyetje: Edhe pse ishe e dhunuar vazhdonin t’ju mbanin në furgonin e policisë?
Rica: Brenda në furgon me forcë, vetëm kur ka ardhë kunata më kanë nxjerrë.