Bota
Tronditje në Berlin: Si e kapi Rusia bisedën sekrete të ushtrisë gjermane?
Ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius ka bërë thirrje për unitet pas publikimit nga Rusia të një bisede të oficerëve të lartë të aviacionit luftarak gjerman. “Bëhet fjalë për një sulm hibrid të disinformimit, bëhet fjalë për përçarje, dhe minim të unitetit tonë”, tha politikani socialdemokrat. “Ne nuk duhet të biem në grackën e Putinit.”
Prandaj duhet të reagojmë me mençuri, “po jo me më pak vendosmëri”. Pistorius ka refuzuar marrjen e masave për personelin ushtarak në këtë moment. Ky do të ishte ekzagjerim, por duhet të sqarohet, nëse në këtë bisedë janë diskutuar përmbajtje sekrete dhe nëse për këtë bisedë shërbimi i konferencave, Webex ka qenë formati i duhur për të komunikuar.
Kiesewetter: Rusia ka pasur me gjasë të dhënat e regjistrimit
Televizioni rus kishte publikuar të premten në internet një regjistrim të një konference me telefon të oficerëve të lartë të ushtrisë gjermane, bisedë përgatitore para informimit të ministrit të Mbrojtjes. Aty dëgjohet, si kreu i aviacionit luftarak gjerman, Ingo Gerhartz me tre oficerë bisedon për një mision të mundshëm të raketave “Taurus” në Ukrainë kundër sulmuesve rusë.
Nuk dihet saktësisht si Rusia e ka siguruar bisedën. Por politikani i CDU-së për Mbrojtjen, Roderich Kiesewetter është i mendimit, se Moska ka pasur të dhëna për t’u regjistruar në platformë. “Për fat të keq shtohen të dhënat, se me gjasë një pjesëmarrës rus është regjistruar në Webex dhe nuk ka rënë në sy, që aty ka pasur një numër tjetër telefoni që ka qasje”, tha politikani i CDU-së për ARD. Kieswetter i referohet burimeve profesionale, pa përmendur origjinën e informacionit.