Connect with us

Bota

Tronditje nga Teherani/ Irani refuzon “paqen e rreme” të Trump: Kjo është lojë

Irani ka kritikuar qëndrimin e ndryshuar të Presidentit të SHBA-ve Donald Trump lidhur me heqjen e sanksioneve ekonomike kundër Teheranit.

Irani i ka quajtur “lojëra” që nuk kishin për qëllim zgjidhjen e problemeve midis dy vendeve.

“Këto (deklarata të Trump) duhet të shihen më shumë në kontekstin e lojërave psikologjike dhe mediatike sesa si një shprehje serioze në favor të dialogut ose zgjidhjes së problemeve”, tha zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme, Esmaeil Baghaei, në një konferencë për shtyp.

Në një ndryshim të habitshëm, Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, ka treguar mbështetje për lejimin e Kinës për të blerë naftë nga Irani, duke lënë të kuptohet një lehtësim të mundshëm të sanksioneve.

Njoftimi erdhi nëpërmjet llogarisë Truth Social të Trump, ku ai deklaroi: “Kina tani mund të vazhdojë të blejë naftë nga Irani. Shpresojmë që ata do të blejnë shumë edhe nga SHBA-të”.

Deklarata shënon një ndryshim të mprehtë nga politika e mëparshme e “presionit maksimal” të Trump, e cila kishte synuar në mënyrë agresive eksportet e naftës iraniane dhe kishte penalizuar kompanitë kineze të përfshira në tregti.

Vetëm muaj më parë, SHBA-të vunë sanksione mbi rafineritë kineze dhe rrjetet e transportit që ndihmonin shmangien e sanksioneve të Iranit.

Pas postimit, tregjet globale të naftës reaguan shpejt, me çmimet e naftës së papërpunuar që ranë nën 70 dollarë për fuçi, një rënie e konsiderueshme e nxitur nga pritjet për rritjen e furnizimit iranian.

Ekspertët paralajmërojnë, megjithatë, se sipas ligjit aktual të SHBA-ve, lehtësimi zyrtar i sanksioneve kërkon një heqje dorë nga Presidenti dhe njoftim të Kongresit – hapa që Trump nuk i ka ndërmarrë.

Analistët sugjerojnë se ky veprim mund të jetë një mesazh politik si për Pekinin, ashtu edhe për Teheranin, mes tensioneve të vazhdueshme tregtare dhe paqëndrueshmërisë në Lindjen e Mesme.

Nëse kjo sinjalizon një ndryshim të vërtetë politik, apo një qëndrim politik, mbetet për t’u parë.

Më herët, Amir-Saeid Iravani, ambasadori i Iranit në Kombet e Bashkuara, tha se pasurimi bërthamor i republikës islamike “nuk do të ndalet kurrë” sepse lejohet për qëllime “energjie paqësore” sipas traktatit për mospërhapjen e armëve bërthamore.

“Pasurimi është e drejta jonë, një e drejtë e patjetërsueshme, dhe ne duam ta zbatojmë këtë të drejtë”, tha Iravani për CBS News, duke shtuar se Irani ishte gati për negociata, por “dorëzimi pa kushte nuk është negociatë. Ai po dikton politikën ndaj nesh”.

Por Iravani tha se Teherani është “gati për negociata, por pas këtij agresioni, nuk është kusht i duhur për një raund të ri negociatash, dhe nuk ka kërkesë për negociata dhe takim me presidentin”.

I dërguari iranian në OKB mohoi gjithashtu se ka ndonjë kërcënim nga qeveria e tij për sigurinë e Rafael Grossi-t, drejtorit të përgjithshëm të Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike, ose kundër inspektorëve të agjencisë, të cilët akuzohen nga disa zyrtarë iranianë se e ndihmojnë Izraelin të justifikojë sulmet e tij.

Inspektorët e IAEA-s janë aktualisht në Iran, por nuk kanë qasje në objektet bërthamore të Iranit.

I pyetur nga CBS News, nëse do t’i dënonte thirrjet për arrestimin dhe ekzekutimin e kreut të IAEA-së, të cilat, sipas sekretarit të shtetit të SHBA-ve, Marco Rubio, i kishte bërë një gazetë pranë udhëheqësit të Iranit, Iravani tha se do t’i dënonte.

“Nuk ka asnjë kërcënim”, tha Irvani, por pranoi se parlamenti i Iranit kishte pezulluar bashkëpunimin me IAEA-në.

Inspektorët, tha ai, “janë në Iran, janë në kushte të sigurta, por aktiviteti është pezulluar. Ata nuk mund të kenë qasje në vendin tonë… vlerësimi ynë është se ata nuk e kanë bërë punën e tyre”.

Iravani iu përgjigj gjithashtu pyetjeve se pse Teherani nuk i ka pranuar propozimet për një zgjidhje diplomatike. Duke iu referuar kërkesës së Trump për “dorëzimin pa kushte”, Irvani tha se SHBA-të “po na dikton politikën. Nëse ata janë gati për negociata, do të na gjejnë të gatshëm për këtë. Por nëse duan të na diktojnë, është e pamundur të negociohet me ta”.

Advertisement