Bota
Trump beson se Rusia do të fitojë në Ukrainë, sipas Politico

Presidenti amerikan Donald Trump beson ende se Rusia do të fitojë luftën në Ukrainë, sipas një raportimi të publikuar nga Politico. Një zyrtar i lartë i Shtëpisë së Bardhë, i cili foli në kushte anonimiteti, tha se Trump është i bindur se Rusia ka më shumë burime dhe avantazh në terren.
“Trump mendon se Rusia ka më shumë resurse — ushtrinë, ekonominë. Ata po hedhin trupat në vijën e frontit dhe kjo, me kalimin e kohës, jep rezultat”, u shpreh burimi për Politico.
Megjithatë, pavarësisht këtij perceptimi të zymtë, Trump së fundmi ka miratuar dërgimin e sistemeve raketore Patriot për Ukrainën, një sinjal mbështetjeje që vjen në kontrast me pritshmëritë për qëndrimin e tij ndaj luftës.
Trump njoftoi të hënën një marrëveshje me NATO-n në lidhje me armët për të ndihmuar Ukrainën mes sulmit të Rusisë.
“Ne kemi bërë një marrëveshje sot ku do t’u dërgojmë atyre armë dhe ata do të paguajnë për to. Shtetet e Bashkuara nuk do të bëjnë asnjë pagesë”, tha Trump. “Ne nuk do t’i blejmë, por do t’i prodhojmë dhe ata do të paguajnë për to”.
Trump thotë se qeveritë evropiane do t’i transferojnë më pas municionet në Ukrainë sipas një marrëveshjeje të re për të mbështetur Kyiv-in në mbrojtjen e vetes kundër Rusisë. Presidenti amerikan nuk dha detaje, por tha se armët do të përfshijnë bateri mbrojtëse raketore Patriot. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, e quajti marrëveshjen “shumë të madhe” dhe tha se ky është “një hap përpara për evropianët”.
“Kjo është vala e parë dhe do të ketë të tjera. Vendet evropiane duan të jenë pjesë e saj”, theksoi Rutte.
Presidenti Trump hapi fjalimin e tij së bashku me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, në Zyrën Ovale duke kërcënuar me “tarifa të ashpra” kundër Rusisë.
“Ne jemi shumë, shumë të pakënaqur me ta”, tha Trump për Rusinë. “Dhe ne do të vendosim tarifa shumë të ashpra nëse nuk kemi një marrëveshje brenda 50 ditësh”. “Tarifat në rreth 100 për qind, e dini çfarë do të thotë kjo. Por sot do të flasim për diçka tjetër”, vazhdoi Trump, duke vazhduar të fliste për armët për Ukrainën.

