Bota
Trump bie pre e fotove nga protestat e 2020, kërcënon të dërgojë Gardën Kombëtare në Portland

Presidenti Donald Trump deklaroi se po shqyrton mundësinë për të dërguar trupa të Gardës Kombëtare në Portland, Oregon, vendim i nxitur nga një raport televiziv i cili gabimisht paraqiti pamje të protestave masive të vitit 2020 si nëse kishin ndodhur këtë verë.
“Pashë sot, nuk e dija që po vazhdonte, por Portland është i pabesueshëm, çfarë po ndodh atje”, tha Trump para gazetarëve, duke pretenduar se kishte parë “shkatërrimin e qytetit”. Në realitet, këtë vit në Portland ka pasur vetëm disa dhjetëra protestues pranë një objekti të ICE (Imigracionit dhe Doganës), krahasuar me mijëra që dolën në rrugë pas vrasjes së George Floyd në 2020.
Dezinformimi televiziv dhe “realiteti paralel” i Trump
Trump nuk përmendi burimin e informacionit, por një kronikë e Fox News të enjten përzjeu pamje të një proteste të vogël me video të vitit 2020, ku një demonstrues, Christopher David, shihej duke u spërkatur me gaz lotsjellës – duke e paraqitur gabimisht sikur kishte ndodhur në qershor 2025.
I pyetur nga gazetarët, Trump tha: “Kur e pashë në televizion, më rezultoi sikur kjo ka vazhduar për vite. Ne do ta ndalojmë shumë lehtë. Nëse shkojmë në Portland, do t’i fshijmë nga aty.”
Ai e quajti grupin e protestuesve “terroristë të paguar nga e majta radikale”, duke përsëritur teoritë e konspiracionit të vitit 2020 për “antifa”, pa paraqitur asnjë provë.
Reagimi i autoriteteve lokale
Kryebashkiaku i Portland, Keith Wilson, reagoi duke e refuzuar çdo ndërhyrje federale: “Ne jemi krenarë që policia e qytetit ka mbrojtur lirinë e shprehjes, duke menaxhuar rastet e dhunës dhe dëmtimit të pronës. Portland mbetet një qytet strehë dhe do të mbrojë komunitetin dhe të drejtat tona me mjete ligjore”.
Edhe prokurori i përgjithshëm i Oregonit, Dan Rayfield, paralajmëroi se shteti është i përgatitur për të ndaluar çdo “tejkalim të kompetencave” nga administrata Trump: “Presidenti ka pushtet, por duhet të qëndrojë në shinat kushtetuese. Nëse i kalon, do ta mbajmë përgjegjës”.
Një kërcënim politik me prapaskenë propagandistike
Ndërsa realiteti në Portland është krejt ndryshe, godina të rindërtuara, qendra pa protesta masive, Trump vijon ta përshkruajë qytetin si një “ferr të djegur nga protestat”, duke përdorur imazhet e manipuluara mediatike për të justifikuar një ndërhyrje të mundshme federale. /The Guardian

