Connect with us

Bota

Trump dhe Biden thonë se do të fitojnë, por rezultati zgjedhor është i paqartë

Shumë vota përmes postës janë ende duke u numëruar në Shtetet e bashkuara.

Në orët e para të 4 nëntorit, asnjëri kandidat për president nuk ka siguruar fitore bindëse.

Kandidati demokrat, Joe Biden, ka thënë se është në rrugë drejt fitores, ndërkohë që presidenti amerikan, Donald Trump, ka shpallur fitore para kohe dhe ka përsëritur pretendimet e pabazuara se votimi përmes postës është manipuluar.​

Shtetet me rezultat ende të paqartë:

Arizona (11 vota elektorale)
Biden: 51.0%, Trump: 47.6%

Edhe pse garë e ngushtë këtë vit, Arizona ka votuar për kandidatin republikan në çdo zgjedhje presidenciale – përveç vitit 1996 – që nga viti 1952. Donald Trump ka fituar me rreth 4 për qind në vitin 2016.

Xhorxhia (16 vota elektorale)
Trump: 50.5%, Biden: 48.3%

Xhorxhia ka votuar për kandidatin republikan në nëntë nga dhjetë zgjedhjet e kaluara presidenciale. Donald Trump ka fituar me rreth 5 për qind në vitin 2016.

Miçigen (16 vota elektorale)
Biden: 49.5%, Trump: 49.0%

Miçigeni ka votuar për kandidatin demokrat qysh në vitin 1992, derisa Donald Trump ua ka kthyer republikanëve atë, më 2016. Trump e ka fituar para katër vjetësh me 0.2 për qind.

Nevada (gjashtë vota elektorale)
Biden: 49.3%, Trump: 48.7%

Nevada është shtet i lëkundur prej kohësh. Ajo ka votuar për fituesin e zgjedhjeve, përveç në dy raste, qysh në vitin 1912. Një nga këto raste ka qenë më 2016, kur kandidatja që i ka humbur zgjedhjet, Hillary Clinton, e ka fituar Nevadën me 2 për qind.

Pensilvania (20 vota elektorale)
Trump: 54.9%, Biden: 44.0%

Pensilvania ka votuar për kandidatin demokrat qysh më 1992, deri më 2016, kur ka fituar Donald Trump. Trump e ka fituar atëbotë me 0.7 për qind.

Uiskonsin (10 vota elektorale)
Biden: 49.6%, Trump: 48.9%

Uiskonsini ka votuar për kandidatin demokrat qysh më 1988, deri më 2016, kur ka fituar Donald Trump. Trump e ka fituar atëbotë me 0.8 për qind.

Parashikuesit e zgjedhjeve e nxjerrin Bidenin favorit për të fituar

Gara për Shtëpinë e Bardhë midis presidentit aktual, Donald Trump, dhe kandidatit demokrat, Joe Biden, është ende e ngushtë, por parashikuesit e zgjedhjeve e nxjerrin Bidenin favorit për të fituar.

Kompania e basteve Smarkets, me seli në Britaninë e Madhe, i jep Bidenit 78 për qind shanse për të dalë në krye, ndërsa PredictIt në Zelandën e Re parashikon shanse edhe më të mëdha për të: gati 80 për qind.

Rritja e shanseve të Bidenit vjen në kurriz të shanseve të Trumpit.

Smarkets i jep presidentit aktual vetëm 21 për qind shanse për të qëndruar në Shtëpinë e Bardhë.

Trump, para kohe, e ka shpallur veten fitues, por numërimi i votave që mund ta përcaktojnë rezultatin vazhdon edhe në gjashtë shtete: Nevada, Xhorxhia, Miçigen, Karolinë e Veriut, Pensilvani dhe Uiskonsin.

Biden duhet t’i fitojë të paktën tri nga këto shtete për t’u zgjedhur president, ndërsa Trump duhet t’i fitojë së paku katër.

Edhe përpara zgjedhjeve, Biden ka qenë në epërsi në sondazhet e opinionet në nivel kombëtar, por avantazhi i tij ka qenë më i vogël në shtetet e lëkundura, ku dy kandidatët kanë mbështetje të ngjashme në mesin e votuesve.

Biden ka thënë se është i bindur se është “në rrugën e duhur” për të fituar, por ka bërë thirrje për durim derisa numërimi i votave vazhdon.

Biden kalon në epërsi në Uiskonsin

Me 99 për qind të votave të numëruara në shtetin e Uiskonsinit, kandidati demokrat për president të SHBA-së, Joe Biden, ka epërsi të ngushtë – prej rreth 20,000 votash – kundrejt presidentit Donald Trump, raporton BBC.

Në vitin 2016, Trump e ka mundur kandidaten e atëhershme demokrate, Hillary Clinton, në Uiskonsin, me më pak se 30,000 vota.

Uiskonsini siguron dhjetë vota elektorale.

Kujtojmë se një kandidati i duhen së paku 270 vota elektorale, për t’u zgjedhur president.

Aktualisht, sipas hartës sonë, Biden i ka 224 vota elektorale, ndërsa Trump 213

Advertisement
Click to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *