Kosova
Trump do të kërkojë ndarjen e Kosovës në këmbim të njohjes nga Serbia

Shtetet e Bashkuara të Amerikës mund t’ia marrin Bashkimit Europian drejtimin e negociatave ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me presidentin amerikan, që sipas Timothy Less, tregoi se nuk e ka harruar Kosovën dhe se e konsideron atë punë të papërfunduar. Precedenti, tha ai, ka treguar se Donald Trump do të kërkojë ta zgjidhë çështjen e Kosovës në bazë të një marrëveshjeje që përfshin ndarjen në këmbim të njohjes.
Ish-diplomati britanik theksoi se “gjëja e parë që duhet pasur parasysh kur bëhet fjalë për Donald Trump është të mos mbireagohesh kur ai thotë diçka”, dhe në vetvete, “ky postim i fundit nuk do të thotë shumë”.
“Ajo që mund të konkludojmë në mënyrë të arsyeshme është se Trump nuk e ka harruar Kosovën dhe se ai e konsideron atë punë të papërfunduar. Në këtë kuptim, postimi është prova e parë që nga kthimi i Trumpit se administrata e tij mund të marrë sërish rolin udhëheqës në negociata” – deklaroi Less
Kryesuesi i i Grupit të Studimit të Analizës së Rrezikut Gjeopolitik në Qendrën për Gjeopolitikë në Universitetin e Cambridgeit u shpreh gjithashtu se postimi tregon se Trump është “i vetëdijshëm se stabiliteti në Kosovë është përkeqësuar gjatë presidencës së Bidenit” dhe kjo “nënkupton se, nëse SHBA-të do t’i rifillonin negociatat, Trump do t’i qasej çështjes së Kosovës në një mënyrë ndryshe nga Joe Biden”.
I pyetur se çfarë mund të ndodhë me çështjen Kosovë – Serbi, ai përmend ndryshimin e kufijve – një qasje të cilën sic ai u deklarua, Donald Trump e ka treguar në pjesë të tjera të botës.
Për ish-diplomatin, domethënës është edhe fakti që ish emisari amerikan Richard Grenell i ripostoi komentet e Trumpit.
Ish-diplomati britanik Timothy Less tha se një marrëveshje e mundshme e ndërmjetësuar dhe e mbikëqyrur nga presidenti amerikan Donald Trump, mund te shkonte deri aty sa te kerkohej qe Kosova të hiqte dorë nga veriu, por gjithashtu do t’i kërkonte Serbisë njohjen e menjëhershme të fqinjit.
“Sa për përparësitë e një marrëveshjeje të mbikëqyrur nga Trump, me shumë gjasë do të vinte me anë negative për Kosovën… do t’i kërkohej të heqë dorë nga veriu në vend që t’i jepet autonomi, siç kërkon marrëveshja e Ohrit. Por ajo gjithashtu do të vinte me një përparësi të rëndësishme: saktësisht një kërkesë që Serbia ta njohë Kosovën dhe ta bëjë këtë menjëherë, diçka për të cilën marrëveshja e Ohrit është e paqartë” – deklaroi Lees.

