Shkrime
Trump e bindi Putinin: Ti mund ta fitosh luftën/ Tani Europa ka mbetur jetime

Duhet ta pranojmë se ndodhemi përballë një dështimi total të strategjisë negociuese të Donald Trump dhe të përpjekjes së tij për ta zbutur e për ta afruar Vladimir Putinin. Europa duhet ta marrë këtë në konsideratë dhe të veprojë siç duhet”. Kështu thotë në një intervistë telefonike për Corriere della Sera historiania dhe njohësja e specializuar e Lindjes së Evropës, Anne Applebaum.
Si e shpjegoni dështimin e diplomacisë amerikane?
“Trump i shtriu tapetin e kuq Putinit më 15 gusht në Alaskë. I propozoi marrëveshje ekonomike dypalëshe shumë të favorshme. Por në të vërtetë ishte një katastrofë e plotë: E bindi Putinin se i leverdis të vazhdojë ofensivën e tij ushtarake dhe i forcoi bindjen se mund të fitojë në fushën e betejës”.
Çfarë mund të bëjë Europa?
“Mund të bëjë diferencën duke e thënë shumë qartë se strategjia e Trump deri më tani nuk ka funksionuar. E di që askush nuk do ta ofendojë personalisht presidentin amerikan, këtë e pamë qartë edhe në takimin e fundit në Uashington me Zelensky-n dhe liderët kryesorë evropianë, por ka ardhur koha t’i themi gjërat troç: ai ka dështuar”.
Dhe tani?
“Duhet të ndërtohet një strategji ndryshe. Duhet të lindë një rrugë evropiane për t’u përballur me problemin Rusia”.
Por Europa mbetet e përçarë: Ndarje të brendshme, qëndrime të ndryshme ndaj regjimit të Putinit, mosmarrëveshje mbi dërgimin ose jo të trupave evropiane si garanci sigurie për Ukrainën…
“E gjitha kjo është shumë e vërtetë. Por nëse Europa nuk arrin të koordinohet, nëse nuk bashkohet për përdorimin e fondeve ruse të ngrira në bankat tona, nëse nuk vazhdon të mbështesë ushtarakisht dhe financiarisht Ukrainën, atëherë rusët do të vazhdojnë të sulmojnë. Sa më të ndarë të jenë evropianët, aq më shumë do të zgjasë lufta”.
Zgjidhja?
“Vetëm një: Rusët duhet ta kuptojnë se nuk mund ta fitojnë luftën. Fatkeqësisht deri më tani Trump i jep Putinit bindjen se e ka thikën nga bishti. Por dua të shtoj se në këtë pikë vendet evropiane janë treguar shumë më të bashkuara nga sa pritej në shkurt 2022. Vizita e liderëve evropianë në Uashington dy javë më parë mund të interpretohet në mënyra të ndryshme, por ishte një demonstrim i jashtëzakonshëm koordinimi dhe uniteti. Fatkeqësisht mungonte lideri polak për arsye të brendshme. Por mes Francës, Italisë, Gjermanisë, Britanisë së Madhe dhe partnerëve të tjerë u shfaq vërtet një front i përbashkët”.
Si i lexoni sulmet personale të Macron ndaj Putinit?
“Tashmë e kemi kuptuar të gjithë se Putini nuk është i interesuar për paqen. E shoh shumë të dobishme që Macron e thotë hapur: Lufta vazhdon vetëm sepse Putini nuk ka ndërmend të ndalet. Jemi përballë një dinamike tepër të rrezikshme. Të dëgjojmë me kujdes fjalët e Putinit: Ai këmbëngul se çdo vend ku në të kaluarën kanë qenë të pranishëm ushtarë rusë, duhet potencialisht të rikthehet tek Rusia. Kjo përfshin Berlinin, vendet baltike, Poloninë dhe madje edhe Parisin. Të gjithë jemi të kërcënuar nga një diktator i udhëhequr nga një ambicie e pakufizuar”.
Çfarë mësimesh duhen nxjerrë?
“Evropianët duhet të kuptojnë se aleati i vjetër amerikan nuk është më. Nëse Bashkimi Evropian aspiron të mbrojë sovranitetin e tij, lirinë e tij, atëherë nuk ka nevojë vetëm për një strategji të re mbrojtjeje ushtarake, por edhe për një politikë të jashtme të vetën dhe unitare”.
Dhe ukrainasit?
“Janë të jashtëzakonshëm. Janë ushtria jonë më e mirë, ushtarët më inovativë në botë. Aftësia e tyre për rezistencë, përdorimi futurist i dronëve, fitoret në Detin e Zi, tani edhe sulmet ndaj rafinerive ruse, janë episode lufte që duhen studiuar në akademitë ushtarake. Industria ushtarake ukrainase është në pararojë, kanë sipërmarrës, inxhinierë, teknikë-ushtarë të jashtëzakonshëm. Ukrainasit janë pjesë e mbrojtjes evropiane dhe duhet të mbeten të tillë në të ardhmen, do të ishte tragjedi nëse kalonin nën Rusinë.”
A funksionon marrëveshja e re sipas së cilës Europa paguan armët amerikane për Ukrainën?
“Do të preferoja që ato të ishin armë të prodhuara nga evropianët. Por ka kufizime, prandaj kështu është mirë. Nëse kjo është mënyra që armët t’i arrijnë ukrainasve, nuk kam asnjë kundërshtim. Një studim i fundit tregon se armët amerikane të dërguara deri më tani kanë qenë shumë më pak të avancuara se sa ishte propaganduar, ndoshta tani do të jenë më të mira, meqë po paguhen”.
Por mbetet thelbësore ndihma e inteligjencës amerikane, apo jo?
“Absolutisht po. Trump nuk ka thënë se synon ta mohojë atë, dhe është jashtëzakonisht e rëndësishme që të mbetet”./Corriere della Sera

