Connect with us

Bota

Trump i jep Katarit garanci maksimale sigurie: Kush sulmon Dohan ka sulmuar SHBA-të

Si pjesë e përpjekjeve për të dhënë fund luftës në Gaza dhe si kompensim për Katarin pas sulmit izraelit në Doha, presidenti amerikan Donald Trump ka nënshkruar një urdhër ekzekutiv që rrit ndjeshëm angazhimet e sigurisë së SHBA-ve ndaj Katarit.

Sipas urdhrit, çdo sulm i armatosur ndaj territorit, sovranitetit ose infrastrukturës jetike të Katarit do të konsiderohet si një kërcënim ndaj paqes dhe sigurisë së Shteteve të Bashkuara.

Në rast të një sulmi të tillë, SHBA-të do të ndërmarrin të gjitha masat e ligjshme dhe të përshtatshme, përfshirë veprimet diplomatike, ekonomike dhe, nëse është e nevojshme, ushtarake, për të mbrojtur interesat e të dyja vendeve dhe për të rivendosur paqen dhe stabilitetin.

Ky vendim vjen pas një kërkese të qartë të Katarit dhe një marrëveshjeje që përfshinte edhe faljen e kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu ndaj kryeministrit të Katarit, Mohammed bin Abdulrahman Al Thani, për sulmin izraelit që kishte shkaktuar vdekjen e një oficeri të sigurisë katariote dhe kishte shkelur sovranitetin e vendit.

Administrata amerikane thekson se ky urdhër është një hap strategjik për të siguruar stabilitetin rajonal dhe për të mbështetur rolin e Katarit si ndërmjetës i rëndësishëm në konfliktin në Gaza.

Advertisement