Bota
“Trump i ndërron mendimet, si ndërron këpucët”/ Analiza e BBC: Moska po shpërfill zemërimin e presidentit të SHBA me Putinin

Analiza nga Steve Rosenberg, BBC
Çdo analizë mbi qëndrimin aktual të Donald Trump ndaj Rusisë bie poshtë shumë shpejt.
Nëse i kushton shumë vëmendje një postimi, një komenti të shkurtër apo një deklarate spontane të presidentit amerikan, rrezikon që përfundimet e tua të hidhen poshtë nga ajo që ai do të thotë ditën tjetër.
Besomëni, e kam përjetuar vetë këtë. Siç shkroi sot gazeta ruse Komsomolskaya Pravda: “Presidenti amerikan herë flet ngrohtë, herë ftohtë… ai ndryshon mendim për çështje të rëndësishme po aq lehtë sa ndërron këpucët.”
Kohët e fundit, kur bëhet fjalë për Rusinë, duket se Shtëpia e Bardhë ka adoptuar një qëndrim më të ftohtë, gjë që shpjegon titullin e sotëm të gazetës Moskovsky Komsomolets: “Ftohja ruso-amerikane.”
Pas bisedës telefonike të fundit më 3 korrik ndërmjet Vladimir Putinit dhe Donald Trump, e gjashta për këtë vit, presidenti amerikan zbuloi se nuk ishte arritur asnjë përparim për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.
“Nuk jam i kënaqur me këtë,” shtoi ai. Katër ditë më pas, Trump kërcënoi me vendosjen e një tarife prej 10% për çdo vend që është i lidhur me grupin BRICS, ku përfshihet edhe Rusia. Të martën, gjatë një mbledhjeje të kabinetit, zhgënjimi i tij arriti kulmin me një gjuhë të ashpër: “Putini na thotë shumë marrëzira, nëse doni ta dini të vërtetën,” deklaroi ai.
Sot pyeta Kremlinin për reagimin e tij. Zëdhënësi i Putinit, Dmitry Peskov, u përgjigj: “Ne jemi mjaft të qetë për këtë. Mënyra e të shprehurit e Trump është zakonisht e ashpër… ne kemi në plan të vazhdojmë dialogun me Uashingtonin për të rregulluar marrëdhëniet tona… shpresojmë që Trump dhe ekipi i tij të vazhdojnë përpjekjet për të kthyer procesin e paqes në shinat diplomatike.”
Kremlini të paktën përpiqet të tingëllojë diplomatik. Shtypi rus, në anën tjetër, nuk përpiqet fare. Në Komsomolskaya Pravda, një analist politik e akuzoi Trump për mungesë arritjesh gjeopolitike. Gazeta Moskovsky Komsomolets e përshkroi presidentin amerikan si me temperament të paqëndrueshëm dhe të prirur për ndryshime të papritura në qëndrime dhe sjellje. Ndërkohë, gazeta Argumenty i Fakty e talli Trump në lidhje me partinë e re të Elon Musk, duke shkruar: “Tani sa herë që presidenti thotë ‘Make America Great Again’, në fakt po promovon pa dashje partinë e Musk.”
Kjo paraqet një ndryshim rrënjësor në raportimin e mëparshëm pozitiv për administratën Trump në Rusi. Në mars, një politolog i tha gazetës Izvestia se “Amerika tani ka më shumë të përbashkëta me Rusinë sesa me Brukselin apo Kievin.” Në maj, gazeta Kommersant deklaroi se “qëndrimi i Donald Trump nuk mund të ishte më i favorshëm për Moskën. Ai refuzoi të forcojë sanksionet kundër Rusisë dhe shprehu vendosmërinë për të zhvilluar tregti të gjerë me Rusinë.”
Ky optimizëm ishte i kuptueshëm. Në fillim të vitit, Shtëpia e Bardhë kritikonte publikisht presidentin ukrainas Zelensky, dhe jo Putinin, duke ushtruar presion ndaj Kievit dhe jo ndaj Moskës. SHBA dhe Rusia kishin nisur bisedime bilaterale për përmirësimin e marrëdhënieve. Për më tepër, i dërguari i Trump, Steve Witkoff, ishte një vizitor i rregullt në Moskë për takime me Putinin. Në një prej takimeve, presidenti rus i dhuroi një portret të Trump për ta marrë në Shtëpinë e Bardhë. Dukej se një epokë e re në marrëdhëniet SHBA-Rusi ishte në horizont. Por tani kanë kaluar mbi dy muaj nga vizita e fundit e Witkoff. Dhe në qershor, Rusia njoftoi se SHBA kishte anuluar raundin e radhës të bisedimeve për rivendosjen e operacioneve të misioneve diplomatike. Ndërkohë, duket se Trump po bëhet gjithnjë e më i irrituar nga refuzimi i Rusisë për të pranuar një armëpushim të plotë në Ukrainë.
Siç shkroi sot Moskovsky Komsomolets: “Kremlini beson se Trump ofron shumë pak, prandaj një ‘sherr i mirë’ është më i dobishëm sesa një ‘paqë e keqe’ për interesat afatgjata të Rusisë.” Me fjalë të tjera, për çështjen e Ukrainës, Putini kërkon më shumë sesa ajo që Trump është i gatshëm të ofrojë – më shumë territor, më shumë lëshime nga Kievi për madhësinë e ushtrisë dhe më pak armë perëndimore që i dërgohen Ukrainës. Dhe, për të përdorur një shprehje që i pëlqen vetë Trumpit, Putini duket se beson se “ai i ka të gjitha letrat në dorë” dhe mund të presë për një marrëveshje më të mirë. Por a ka të drejtë? Apo Moska po llogarit gabim? Shumëçka do të varet nga ajo që Trump do të bëjë më pas – nga niveli i ndihmës ushtarake amerikane për Ukrainën dhe nëse Shtëpia e Bardhë do të zgjedhë të ashpërsojë sanksionet ndaj Rusisë.
Por mbani mend paralajmërimin tim. Dhe atë imazhin e goditur nga Komsomolskaya Pravda për Trumpin që ndërron këpucët. Vetëm një javë më parë, analistët rusë po festonin vendimin e SHBA për të ngrirë një pjesë të ndihmës ushtarake për Ukrainën. Prandaj, ndiqni nga afër, jo vetëm fjalët e Donald Trump për Rusinë dhe Ukrainën, por edhe veprimet që ai ndërmerr.

