Bota
Trump i përgjigjet spekulimeve për shëndetin: Nuk jam ndjerë kurrë më mirë

Presidenti amerikan Donald Trump, reagoi të dielën ndaj thashethemeve që kanë qarkulluar ditët e fundit lidhur me gjendjen e tij shëndetësore, duke theksuar se ndihet më mirë se kurrë më parë.
Përmes një postimi në platformën e tij Truth Social, Trump shprehu se është në gjendje të shkëlqyer, pas një fundjave të qetë që kaloi duke luajtur golf në resortin e tij në Virxhinia.
Ai e shfrytëzoi gjithashtu rastin për të lavdëruar atë që ai e konsideron si sukses të vendosjes së Gardës Kombëtare në kryeqytetin amerikan.
“Nuk jam ndjerë kurrë më mirë në jetën time. Gjithashtu, Uashingtoni është një ZONË PA KRIM!”, shkroi Trump, duke iu referuar vendimit të debatueshëm për të vendosur Policinë Metropolitane të Uashingtonit nën kontroll federal.
Thashethemet për shëndetin e Trump nisën të qarkullojnë javën e kaluar, pasi ai nuk kishte bërë asnjë paraqitje publike të planifikuar.
Mungesa e aktiviteteve në axhendën e publikuar nga Shtëpia e Bardhë të premten shtoi më tej spekulimet, ndërkohë që në rrjetet sociale u përhap hashtag-u “#TrumpIsDead” (“Trump ka vdekur”), duke shkaktuar reagime të shumta.
Këto spekulime u hodhën poshtë përfundimisht të shtunën, kur Trump u pa duke u nisur për një ndeshje golfi në Sterling, Virxhinia, i shoqëruar nga mbesa e tij, Kai Trump.

