Connect with us

Bota

Trump-Iranit: Do t’ju shkatërrojmë nëse sulmoni sërish Katarin

Donald Trump thotë se SHBA-të “nuk dinin asgjë” për sulmin e Izraelit ndaj fushës së gazit South Pars në Iran të mërkurën.
Në një postim me tone të ashpra në Truth Social, presidenti amerikan paralajmëron Iranin kundër hakmarrjeve të mëtejshme pasi ky i fundit sulmoi kompleksin energjetik Ras Laffan në Katar. Sulmi shkaktoi “dëme të mëdha”, por pa të lënduar, sipas kompanisë shtetërore të naftës së Katarit.
Presidenti i Parlamentit iranian, Mohammad Bagher Ghalibaf, ka deklaruar se në luftë ka nisur një fazë e re përballjeje. Në një postim në X, Ghalibaf ka thënë se sulmet e Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit kundër infrastrukturës energjetike iraniane synonin të fshihnin “humbjet” e tyre. “Është në fuqi ligji i ‘sy për sy’, dhe po fillon një nivel i ri përballjeje”, shtoi Ghalibaf.
Në një tjetër postim, Ghalibaf tha se “një tjetër revolucion ka ndodhur dhe është përhapur rrugë më rrugë” si reagim ndaj luftës së Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit kundër Iranit. “Irani flinte; ju e zgjuat. Do të shpërthejë një stuhi.”
South Pars është fusha më e madhe e gazit natyror në botë, e përbashkët midis Iranit dhe Katarit, dhe ka një rëndësi jetike për prodhimin energjetik të Iranit. Izraeli ende nuk ka komentuar.
Irani nisi sulme ndaj disa vendeve të Gjirit pasi goditjes së South Pars, përfshirë Katarin, Arabinë Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.
Sulmet kanë bërë që çmimet e naftës të rriten me 4%, duke kaluar përkohësisht në 112 dollarë për fuçi.
Reuters raporton se administrata Trump po shqyrton dërgimin e mijëra ushtarëve amerikanë në Lindjen e Mesme. Një nga opsionet e diskutuar është dërgimi i forcave tokësore në ishullin Kharg.
Një alternativë tjetër është vendosja e trupave përgjatë brigjeve të Iranit për të siguruar kalimin e sigurt në Ngushticën e Hormuzit. Administrata po shqyrton gjithashtu mundësinë e vendosjes së forcave për të siguruar uraniumin e pasuruar iranian

Advertisement