Connect with us

Politike

Trump ngrin fondet pë Shqipërinë/ Reagon SPAK: Mbështetemi tërësisht në buxhetin e shtetit

Prokuroria e Posaçme reagon lidhur me ngrirjen e fondeve nga administrata amerikane deri në një rishikim të dytë pas 90 ditësh, pas Urdhrit Ekzekutiv të Donald Trump lidhur me ndihmën në vendet e huaja.

Në një reagim zyrtar SPAK sqaron se SPAK si institucion i pavarur mbështetet tërësisht në buxhetin e shtetit ndërsa mbështetja SHBA konsiston kryesisht në trajnime, vizita studimore, pajisje të ndryshme teknike dhe sistemin e menaxhimit të çështjeve.

“Jemi informuar për Urdhrin Ekzekutiv të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara për të ndaluar implementimin e programeve të asistencës ndërkombëtare. SPAK është një institucion i pavarur, i cili mbështetet tërësisht në buxhetin e shtetit. Ligji 115 i vitit 2024 “Për menaxhimin e sistemit buxhetor të Republikës së Shqipërisë” parashikon edhe buxhetin e miratuar për Strukturën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për vitin 2025.

Prokuroria e Posaçme dhe Byroja Kombëtare e Hetimit (BKH), prej krijimit kanë pasur mbështetjen e partnerëve ndërkombëtare, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilët  kanë dhënë kontributin e tyre përmes misioneve: OPDAT, ICITAP, DEA, FBI. Mbështetja e tyre është tejet e rëndësishme për fuqizimin e punës së SPAK dhe konsiston kryesisht në trajnime, vizita studimore, pajisje të ndryshme teknike dhe sistemin e menaxhimit të çështjeve” thuhet në reagimin e SPAK.

Një ditë më parë, Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë njoftoi zyrtarisht qeverinë, për të gjitha ministritë e institucionet e tyre në varësi, që preken nga pezullimi për 90 ditë i mbështetjes amerikane, bashkë me Kuvendit, gjykatat në vend, dhe disa agjenci shtetërore.

Pezullimi i financimeve të reja për shumicën e programeve të ndihmës ndërkombëtare, vjen si pjesë e përpjekjeve të presidentit Trump për të përshtatur politikat e ndihmës amerikane me objektivat e tij të politikës së jashtme.

Advertisement