Connect with us

Bota

Trump përsërit kritikat ndaj Zelenskyt, thotë se ai do të mund të merrte pjesë në takimin në Riad

Presidenti amerikan, Donald Trump, e ka ashpërsuar kritikën ndaj presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, duke thënë se ai ka bërë punë të tmerrshme dhe që ai do të mund të merrte pjesë në bisedimet që janë zhvilluar këtë javë mes Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë, në Arabinë Saudite, nëse do të dëshironte.

Trump i ka bërë këto komente në një takim në Majami, me shefa biznesorë të fondit sovran pasuror të Arabisë Saudite, pas komenteve tjera të ashpra ndaj Zelenskyt.

Trump ka shkruar në platformën e tij Truth Social se Zelensky është “diktator pa zgjedhje” dhe ka paralajmëruar që ai “më mirë e ka të veprojë shpejt, apo do të mbetet pa shtet”.

Në fjalimin e tij në Majami, ai ka vlerësuar që Zelensky është duke keqpërdorur ndihmën amerikane të ndarë për luftë, dhe që e ka shfrytëzuar administratën e ish-presidentit amerikan, Joe Biden.

Këto komente duket se janë kundërpërgjigje ndaj kritikës së Zelenskyt se Trump “jeton në hapësirën e tij të dezinformatave” të nxitur nga Moska.

“Ne i kemi parë këto dezinfirmata”, ka thënë Zelensky më 19 shkurt. “Ne e kuptojmë se kjo vjen nga Rusia”.

Zelensky i ka bërë këto komente pasi Trump e ka fajësuar atë për luftën e Rusisë në Ukrainë, duke thënë se është i “zhgënjyer” që Zelensky është ankuar pse nuk është ftuar në bisedimet e zhvilluara mes SHBA-së dhe Rusisë për dhënie fund të luftës.

Advertisement