Connect with us

Shkrime

Trump po e çmonton Amerikën, njësoj siç bëri Jelcini me Bashkimin Sovjetik

Ish-këshilltarja e Donald Trump për çështjet e Rusisë, Fiona Hill, ka paralajmëruar për rreziqet që po përballen fuqitë perëndimore, përfshirë SHBA-të dhe Britaninë, për shkak të populizmit dhe krizës së institucioneve.

Në një intervistë për The New York Times, Hill deklaron se Donald Trump mund të ketë një ndikim shkatërrues të ngjashëm me atë të Boris Jelcinit në shpërbërjen e Bashkimit Sovjetik.

“Trump po e çmonton Amerikën, njësoj siç Jelcini çmontoi Bashkimin Sovjetik”, tha Hill.

Hill, e cila aktualisht mban postin e kancelares në Universitetin e Durhamit në Britani, u bë e njohur publikisht gjatë procesit të shkarkimit të Trump në vitin 2019, kur dëshmoi para Kongresit lidhur me presionet ndaj Ukrainës. Ajo i quajti përpjekjet e Trump për të hetuar rivalin e tij politik Joe Biden “një mision politik i brendshëm”.

Për Hill-in, kërcënimi që përfaqëson Trump nuk qëndron vetëm te stili i tij, por te ajo që përfaqëson si pjesë e një vale globale populizmi.

“Populizmi ofron zgjidhje të shpejta për probleme jashtëzakonisht të ndërlikuara”, tha ajo. “Trump dhe Reform (partia e Nigel Farage në Britani) japin ndjesinë e veprimit. Por ata nuk po i rregullojnë gjërat. Në fakt, në një kuptim, po i shkatërrojnë.”

E pyetur për marrëdhënien e Trump me Vladimir Putinin, Hill u shpreh skeptike se retorika më e ashpër e Trump ndaj Rusisë do të frenojë agresionin e Kremlinit.

“Nuk mendoj se Putini shqetësohet nëse Trump është i zemëruar, sepse mendon se ka një kufi se ku do të shkojë Trump dhe mendoj se ka të drejtë. Ai ndihet shumë i sigurt tani, sidomos për shkak të kaosit në SHBA dhe faktit që Amerika po minon sigurinë e vet”, tha ajo.

Si një nga autoret e një rishikimi strategjik për politikën britanike të mbrojtjes, Hill kërkon një qasje gjithëpërfshirëse ndaj sigurisë, që nuk përfshin vetëm investime ushtarake, por edhe mbështetje për institucionet civile si universitetet dhe sistemin shëndetësor.

Për Hill-in, arsimi është hallka më e dobët sot. Ajo vëren se universitetet britanike janë të nënfinancuara dhe të papërshtatura për transformimet që po sjell teknologjia në fushën e punës dhe të luftës.

“E pyeta veten, teksa të diplomuarit kalonin në skenë: gjithçka për të cilën janë trajnuar, a do të kërkojë ende njerëz? Nuk është e gabuar të mendohet se universitetet kanë nevojë për një periudhë serioze vetëreflektimi”, u shpreh ajo.

Duke reflektuar mbi rënien e fuqive të mëdha dhe dekadencën institucionale, Hill thotë se i gjithë udhëtimi i saj intelektual ka qenë një përpjekje për të kuptuar se si bien perandoritë.

“Pse shkoi verilindja e Anglisë nga të qenit Silicon Valley e epokës së saj, në një periferi të harruar?”, pyeti ajo. “Edhe Rusia, me pushtimin e Ukrainës, ka bërë një gabim katastrofik. Por ndryshe nga Bashkimi Sovjetik, këtë herë do të jetë më e vështirë të demilitarizosh ekonominë.”

Megjithatë, Hill mbetet e kujdesshme optimiste për të ardhmen e Britanisë pas Brexit-it, duke theksuar se vendi ka potencial njerëzor dhe një ndjenjë të fortë të traditës komunitare.

“Besoj që Britania e ka prekur fundin,” tha ajo, por shtoi me një ironi se: “natyrisht, gjithmonë mund të ketë edhe një kat më poshtë.”

Shkrim nga New York Times

Advertisement