Bota
Trump shënon tjetër fitore, kompania amerikane blen dy portet kryesore të Kanalit të Panamasë

Gjigandi amerikan, BlackRock ka rënë dakord të blejë dy porte kryesore në Kanalin e Panamasë nga pronari aktual nga Hong Kongu në një marrëveshje me vlerë 22.8 miliardë dollarë, pas presionit nga presidenti, Donald Trump mbi ndikimin kinez në këtë rrugë ujore.
Sipas një njoftimi të kompanisë, pronari i porteve, CK Hutchison, do t’ia shesë biznesin një grupi kompanish duke përfshirë BlackRock, Global Infrastructure Partners dhe Terminal Investment Limited.
Kompania operon gjithashtu porte në Azinë Juglindore, Lindjen e Mesme, Meksikë dhe Australi. Pjesa e mbetur prej 20% e aksioneve mbahen nga kompania e menaxhimit të portit PSA, e cila është në pronësi të Temasek, fondi sovran i pasurisë së Singaporit. CK Hutchison tha se pret të marrë më shumë se 19 miliardë dollarë nga marrëveshja.
Marrëveshja është thjesht komerciale në natyrë dhe nuk ka të bëjë me lajmet e fundit politike në lidhje me Kanalin e Panamasë, tha bashkëmenaxheri i CK Hutchison. Kompania, e cila kontrollohet nga njeriu më i pasur i Hong Kongut, Li Ka-shing dhe familja e tij, zotëron porte, rrjete telekomunikacioni dhe biznese të tjera të infrastrukturës.

