Connect with us

Bota

Trump shpërthen kundër drejtësisë izraelite: ‘Lëreni Bibin, ka punë të mëdha për të bërë’

Presidenti amerikan Donald Trump ka reaguar ashpër ndaj procesit gjyqësor që po zhvillohet kundër kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu, duke e quajtur atë një “gjueti politike shtrigash” dhe duke kërkuar që ai të lihet të vazhdojë detyrën në një moment kyç për Izraelin.

Në një postim në platformën Truth Social, Trump shkroi “është e tmerrshme çfarë po i bëjnë Bibit në Izrael”.

“Ai është një hero lufte dhe një kryeministër që bëri një punë të jashtëzakonshme duke punuar me Shtetet e Bashkuara për të pasur sukses të madh në eliminimin e kërcënimit bërthamor nga Irani”.

Trump theksoi se Netanyahu është aktualisht i përfshirë në bisedime me Hamasin për të arritur një marrëveshje që përfshin edhe kthimin e pengjeve, dhe shprehu habinë që ai detyrohet të kalojë gjithë ditën në Gjykatë për “asgjë”.

“Kjo është një gjueti politike shtrigash, shumë e ngjashme me atë që kam përjetuar unë vetë. Ky skandal i ‘drejtësisë’ rrezikon të dëmtojë negociatat me Iranin dhe Hamasin”, u shpreh Trump, duke shtuar se “është marrëzi totale ajo që prokurorët jashtë kontrollit po i bëjnë Bibit”.

Ai gjithashtu kritikoi faktin që SHBA-të shpenzojnë miliarda çdo vit për të mbrojtur dhe mbështetur Izraelin, ndërsa një aleat si Netanyahu vendoset nën presion të tillë gjyqësor.

“Nuk do të qëndrojmë duarkryq. Sapo kishim një fitore të madhe me Bibin në krye — dhe kjo po na njollos atë fitore. Lëreni Bibin, ai ka një punë të madhe për të bërë!”, përfundoi Trump.

Advertisement