Connect with us

Rajon

Trump si një automat për plotësimin e dëshirave

Nga dr. Dragan Markovina, historian kroat

Vijnë disa ditë kur njeriu mendon se edhe ajo e vetmja gjë që nuk mund t’u mohohej liderëve politikë të këtushëm, që të paktën bëhej fjalë për njerëz mjaft racionalë dhe inteligjentë, të cilët pa këto cilësi nuk do të kishin ditur as si të fitonin gjithë atë përkrahje të madhe të njerëzve, dhe as si të qëndronin në pushtet për vite me radhë, fillon të vihet në dyshim.

Ditë të tilla po i përjetojmë tani pas fitores dërrmuese të Donald Trump-it në zgjedhjet presidenciale amerikane, pas së cilës një pjesë e liderëve politikë jugosllavë, me adhurimin e tyre publik dhe mesazhet që i dërguan atij njeriu, filluan të sillen si votuesi mesatar amerikan që, nga dëshpërimi, votoi për diçka të re dhe radikalisht të ndryshme.

E vërtetë është gjithashtu që nuk duhet përjashtuar mundësia që të gjitha ato urime dhe mesazhe publike ata vetë i shohin po aq të pavërteta sa duhet t’i shohim edhe ne, dhe që janë dërguar ekskluzivisht si mesazh për votuesit e tyre dhe për nevojat e brendshme, por nuk jam i sigurt se sa kjo teori do të qëndronte nëse do të arrinim të dinim se çfarë mendojnë dhe presin ata me të vërtetë.

Gjithsesi, ajo që është e dukshme për publikun është që Donald Trump-i këto ditë funksionon si një automat për plotësimin e dëshirave ose si një Zot imagjinar, të cilit i luten dhe i drejtohen njësoj qytetarët e deklasuar amerikanë dhe popullistët tanë të të gjitha kategorive, duke pritur ndoshta një mrekulli dhe përmbushjen e të gjitha dëshirave të tyre. Dhe, megjithëse kjo mund të jetë e kuptueshme kur vjen nga ana e këtyre të parëve, mbetet një mister i vërtetë si është e mundur që edhe të dytët injorojnë edhe përvojën e tyre të pushtetit popullist, duke besuar sinqerisht se mrekullitë janë të mundshme dhe se ekziston një automat për plotësimin e dëshirave në politikë dhe në jetë.

Gjithçka filloi me Milorad Dodik-un, i cili i tejkaloi të gjithë duke bërë një performancë me kapelen e bejzbollit të fushatës së Trump-it dhe duke projektuar fotografinë e tij me urime dhe flamuj amerikanë në ndërtesën e qeverisë së entitetit, me një mesazh surreale: “Donald Trump-it i dërgoj përshëndetje të përzemërta për fitoren dhe shpresoj që mandati i tij i ri të sjellë një vizion të freskët të marrëdhënieve të Shteteve të Bashkuara me botën dhe me Bosnjë-Hercegovinën. Kjo është një mundësi që Amerika të tregojë se respekton diversitetin dhe ta orientojë forcën e saj drejt bashkëpunimit dhe stabilitetit, duke respektuar të drejtat dhe nevojat e çdo populli.

Për Republikën Srpska dhe për mua personalisht, fitorja e Trump-it simbolizon kthimin tek vlerat që ne i çmojmë – familja, liria e zgjedhjes dhe e drejta për të ruajtur traditat tona. Në një botë që po ndryshon dhe ku nga individët dhe shtetet shpesh kërkohet të harrojnë rrënjët e tyre, në udhëheqësinë e Trump-it shoh mundësinë për një qasje ndryshe, më të drejtë, që nuk do të imponojë ide që vetë amerikanët nuk i mbështesin në shtëpitë e tyre. Pikërisht kjo është rruga drejt paqes së qëndrueshme dhe përparimit – që çdo komunitet të ketë lirinë dhe të drejtën të zhvillohet në përputhje me vlerat dhe traditat e tij. Mezi pres ditën kur marrëdhëniet e Republikës Srpska dhe Shteteve të Bashkuara do të bazohen në respekt të sinqertë dhe qëllime të përbashkëta.”

Thjesht, Milorad Dodik e elaboroi më gjerë atë që gazeta “Informer” e paraqiti shkurt dhe qartë në tabelën e saj të reklamave: “Trumpi serb”, ku nuk ishte e nevojshme të shkruhej edhe pjesa tjetër e këtij slogani, “Serbia është me ty”, pasi tashmë ishte e qartë për të gjithë që në të e shohin si një Sllobodan Milosheviq të ri që do t’i zgjidhë të gjitha problemet brenda natës. Në këtë drejtim, vetë presidenti Aleksandar Vuçiq doli më racional dhe më i matur, duke u ndalur brenda kufijve të gjuhës diplomatike.

Por në Bosnjë-Hercegovinë u shfaq magjistari i popullizmit nga pjesa federale e shtetit, Zhelko Komshiq, i cili nuk dëshironte të mbetej asnjë milimetër pas Dodikut. Ai dërgoi mesazhin e mëposhtëm: “I nderuar president, ju uroj për fitoren në zgjedhje dhe për zgjedhjen tuaj të re si president i Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Festivali i demokracisë, dëshmitarë të të cilit ishim, edhe një herë tërhoqi vëmendjen e botës ndaj madhështisë së kombit amerikan. Jam i bindur që udhëheqja juaj e re e Shtëpisë së Bardhë do të jetë në vazhdën e rinovimit të marrëdhënieve të shkëlqyera midis Shteteve të Bashkuara dhe Bosnjë-Hercegovinës, nga mandati juaj i kaluar.

Kjo është një mundësi jo vetëm për forcimin e bashkëpunimit politik, por edhe ekonomik midis dy vendeve. Koalicioni multietnik dhe multiracor që fitoi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës është një shtysë e re në luftën për shtetin qytetar të Bosnjë-Hercegovinës, si dhe një provë tjetër që barazia e votës së çdo qytetari është parimi ynë i përbashkët në luftën për barazi të të gjithë qytetarëve.” Duhet të pranohet se Komshiq e tejkaloi Dodikun, i cili të paktën nuk përpiqej ta paraqiste Trump-in si diçka që ai nuk është, ndryshe nga Komshiq që pothuajse gjeti te ai dhe koncepti i tij ideologjik idenë e vëllazërimit dhe unitetit të Titos për të gjithë popujt dhe kombet tona.

Para se të kthehemi në Bosnjë-Hercegovinë, duhet të bëjmë një ndalesë të shkurtër në Kroaci dhe tek kandidati presidencial i (partisë konservatore) HDZ, Dragan Primorac, rivali kryesor i (presidentit aktual) Zoran Millanoviqit. Ai, pasi i shprehur respektin e duhur vetë Trump-it, por edhe Elon Musk-ut, duke mos fshehur fascinimin e tij me fushatën, rezultatin e saj dhe kthimin e ashtuquajturave vlera tradicionale, shtoi se “personalisht kam marrëdhënie të shkëlqyera me ekipin e Trump-it, kështu që do të intensifikojmë më tej bashkëpunimin midis SHBA-së dhe Kroacisë në të gjitha fushat me interes strategjik për vendet tona.”

Në fund, mbërrijmë te nxënësi më i mirë i partisë, Dragan Çoviq, i cili përvojën e hartimeve shkollore për shokun Tito e ka kopjuar pothuajse fjalë për fjalë në mesazhin që i dërgoi Trump-it. Duke qenë se është shumë e gjatë për të cituar të gjithë letrën e hapur, e cila ndjek me përpikëri formatin e urimeve për ditëlindje dërguar Titos, po e lë vetëm pjesën e fundit: “I nderuar president, pikërisht politika e Shteteve të Bashkuara, përmes marrëveshjeve të Uashingtonit dhe Dejtonit, ka pasur një rol kyç në ndalimin e luftës dhe vendosjen e stabilitetit dhe paqes në Bosnjë-Hercegovinë. Për këtë ju falënderojmë edhe sot. Për të siguruar stabilitetin e përhershëm të Evropës Juglindore, ju lutemi që së bashku të mbrojmë vlerat themelore që rrjedhin nga këto marrëveshje, veçanërisht paqen, stabilitetin dhe mekanizmin delikat të ndarjes së pushtetit, në të cilin të tre popujt konstituivë kanë të drejtën kushtetuese për përfaqësim të ligjshëm politik, një e drejtë që për një kohë të gjatë i është mohuar padrejtësisht vetëm popullit kroat.

Të shqetësuar nga sulmet gjithnjë e më të shpeshta ndaj popullit tonë dhe rendit kushtetues të atdheut tonë Bosnjë-Hercegovinë, ku kroatët prijnë me vlera evropiane dhe rrugën drejt Bashkimit Evropian dhe NATO-s, ju bëjmë apel për respektimin e dispozitave të këtyre dy marrëveshjeve, të cilat kanë arritur të mbijetojnë dhe të ruajnë paqen përkundër sfidave të shumta gjatë tre dekadave të fundit. Zyrtarët kroatë në Bosnjë-Hercegovinë, duke vepruar përmes institucioneve të pushtetit dhe të mbledhur në Kuvendin Popullor Kroat të Bosnjë-Hercegovinës, si organizatë ombrellë politike dhe shprehje e vullnetit politik të popullit kroat, janë dhe mbeten të përkushtuar përgjithmonë ndaj politikave të dialogut, paqes, bashkëpunimit dhe përparimit.

Qëllimi ynë është një Bosnjë-Hercegovinë evropiane, anëtare e plotë e Bashkimit Evropian dhe NATO-s, një shtet ekonomikisht i zhvilluar, i qëndrueshëm dhe i sigurt, në të cilin rendi kushtetues respektohet në mënyrë të pakushtëzuar dhe në të cilin bashkëjetesa dhe të drejtat e barabarta të tre popujve të saj nuk do të vihen më kurrë në dyshim. Me dëshirën që edhe në këtë mandat presidencial të keni shëndet, forcë dhe sukses të shumtë, pranoni, i dashur president Trump, përshëndetjet e mia më të sinqerta.”

Pra, duke përmbledhur të gjitha, nëse do t’u besonim këtyre katër individëve, Donald Trump-i aktualisht nuk po bën asgjë tjetër përveçse po mendon se si do ta rregullojë sistemin e brendshëm të Bosnjë-Hercegovinës dhe të përmirësojë marrëdhëniet me Kroacinë, sepse Primorac ka një lidhje të drejtpërdrejtë me të.

Kjo nuk është asgjë e re, sigurisht, figura të tilla ka me bollëk në çdo kafene ballkanike dhe para supermarketeve, por që janë liderë të një vendi, kjo është vërtet një situatë jo e zakontë.

Advertisement