Connect with us

Bota

Trump thotë se telefonata e tij me Putinin i sjell palët me afër bisedimeve për paqe

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, i ka rritur përpjekjet për ta ndërmjetësuar një marrëveshje për paqe, në mënyrë që t’i japë fund luftës në Ukrainë, pasi bisedoi me presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, për më shumë se një orë dhe u pajtua me të për fillimin e bisedimeve.

Trumpi njoftoi më 12 shkurt në rrjetin e tij social, Truth Social, se me Putinin u “pajtua për të punuar ngushtë së bashku, përfshirë duke vizituar vendet e njëri-tjetrit. Gjithashtu, jemi pajtuar që ekipet tona t’i nisinë bisedimet menjëherë”.

Ai foli më gjatë për planet e tij më vonë në Shtëpinë e Bardhë, ku u tha gazetarëve: “Mendoj se jemi në rrugën e duhur për të arritur paqe”.

Ai theksoi se pas telefonatës me Putinin, foli edhe me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, por nuk u shpreh qartë nëse Ukraina do të jetë pjesëmarrëse e barabartë në negociatat me Rusinë.

“Mendoj se ata duhet të bëjnë paqe. Njerëzit e tyre po vdesin”, tha Trump.

Ndërkohë, sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, u tha aleatëve të NATO-s në Bruksel më 12 shkurt se është “joreale” të pritet që kufijtë e Ukrainës të kthehen në gjendjen e para vitit 2014 dhe se Shtëpia e Bardhë nuk e sheh anëtarësimin e Ukrainës në NATO si pjesë të zgjidhjes për konfliktin.

Komentet e tij ishin goditje ndaj synimeve të Ukrainës për t’u anëtarësuar në NATO dhe për ta larguar Rusinë nga të gjitha territoret ukrainase që i ka pushtuar.

Edhe Trumpi tha se anëtarësimi i Ukrainës në NATO nuk do të ishte “praktike.”

Këto komente janë ndër treguesit më të qartë se si presidenti Trump synon ta përmbushë premtimin e tij elektoral për t’i dhënë fund luftës. Disa ekspertë e cilësuan si strategji të dobët përgatitjen e rrugës për bisedime duke i dhënë kushte të favorshme Rusisë.

Oxana Shevel, profesoreshë e shkencave politike në Universitetin Tufts, tha për Radion Evropa e Lirë se Ukraina tashmë e ka kuptuar që shpresat e saj për t’u anëtarësuar në NATO nuk do të jenë pjesë e tryezës së bisedimeve për t’i dhënë fund luftës.

Por, ajo paralajmëroi se do të jetë çështje edhe më serioze nëse Putini përpiqet ta bindë Trumpin ta zhbëjë deklaratën e NATO-s për “rrugën e pakthyeshme” të Ukrainës drejt anëtarësimit.

“Putini do ta dëshironte shumë këtë”, tha Shevel, duke shtuar se një gjë e tillë nuk do të pritej mirë nga vendet evropiane të NATO-s.

Rusia e ka nën kontrollon rreth një të pestën e Ukrainës, përfshirë Gadishullin e Krimesë, dhe forcat e saj kanë përparuar në rajonin lindor të Donbasit për muaj të tërë, megjithëse me një kosto të madhe, ndërsa vazhdojnë të godasin objektiva civile në të gjithë vendin.

Advertisement