Bota
Trump tund “tomahawk” mbi Rusinë/ Zelensky gati të godasë Moskën

Ukraina është ende në pritje të qartësimit të premtimeve të Presidentit amerikan Donald Trump për një paketë ndihme ushtarake me vlerë miliarda dollarë, që përfshin ndër të tjera edhe sisteme të avancuara mbrojtëse Patriot dhe mundësinë e furnizimit me raketa me rreze të gjatë Tomahawk.
Deklarata u bë të hënën në Shtëpinë e Bardhë gjatë një takimi mes Trump dhe sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte. Trump përmendi se një vend aleat i NATO-s është i gatshëm të ofrojë 17 njësi Patriot, si pjesë e një marrëveshjeje të re me vendet europiane që do të blejnë armë amerikane për t’ia dërguar Ukrainës.
Gjenerali i Ukrainës Vadym Skibitskyi, zëvendësdrejtor i inteligjencës ushtarake, tha se ende nuk është e qartë nëse bëhet fjalë për bateria të plota, hedhës të veçantë apo vetëm raketa interceptuese. “Nëse janë 17 bateri, kjo do të ishte një ndihmë gjigante. Por nëse janë vetëm hedhëse, atëherë kjo është më e realizueshme,” sqaroi ai
Ukraina aktualisht ka vetëm gjashtë sisteme funksionale Patriot, ndërsa Gjermania dhe Holanda kanë rënë dakord të ofrojnë tre të tjera, që përfshijnë gjithsej 18 hedhëse raketash, shkruan Guardian.
Në një telefonatë të zhvilluar më 4 korrik, Trump dhe presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky diskutuan për herë të parë mundësinë që SHBA të ofrojë raketat Tomahawk, me rreze veprimi deri në 1600 kilometra dhe kapacitet për të goditur objektiva strategjikë në Moskë apo Shën Petersburg.
Zelensky, sipas Skibitskyit, i tha Trump: “Po, absolutisht. Ne mundemi, nëse na jepni armët.” Por për momentin, asnjë marrëveshje konkrete nuk është arritur.
Skibitskyi pranoi gjithashtu se raketat Tomahawk janë të vështira për t’u përdorur pa aeroplanë bombardues strategjikë apo mjete detare, që Ukraina nuk i ka.
Sipas burimeve të Washington Post, administrata Trump po shqyrton mundësinë për të lejuar përdorimin e raketave Atacams me rreze 300 km edhe brenda territorit rus, përtej zonave të pushtuara të Ukrainës. Kjo do të ishte një ndryshim i rëndësishëm nga kufizimet e vendosura nga administrata Biden.
“Kjo është thelbësore për ne,” tha Skibitskyi. “Na duhet të godasim objektiva me vlerë të lartë strategjike, sipas procedurave të NATO-s.”
Presidenti Zelensky tha se pati një “bisedë shumë të mirë” me Trump, dhe diskutuan për mundësinë e një paqeje të drejtë dhe të qëndrueshme. Ndërkohë, Danimarka, Suedia dhe Holanda kanë shprehur gatishmëri për të marrë pjesë në planin e Trump për blerje armësh për Ukrainën.
Në Kiev është pritur pozitivisht rritja e bashkëpunimit me SHBA-në, veçanërisht pas takimit të vështirë që Zelensky pati me Trump në shkurt. Megjithatë, autoritetet ukrainase kanë shprehur zhgënjim për shtyrjen e sanksioneve të reja dhe tarifave ndaj Rusisë, për të cilat Trump ka vendosur një afat 50-ditor.
I dërguari i posaçëm i Trump për Ukrainën, gjenerali Keith Kellogg, ndodhet në Kiev për një vizitë zyrtare, ku është informuar mbi planet ruse për një ofensivë verore dhe zhvillimet në vijën e frontit në lindje.

