Connect with us

Bota

Trump me Putin – Takimi që ngërthen botën

Në një skenë që përzien simbolizmin historik me tensionin e së tashmes, presidenti amerikan Donald Trump dhe homologu i tij rus Vladimir Putin do të ulen ballë për ballë në një bazë ushtarake amerikane – një takim i rrallë ku dy fuqitë më të mëdha të botës synojnë të shkruajnë, ose të fshijnë, kapituj të tërë të rendit ndërkombëtar.

Do të jetë gjithashtu hera e parë që një president e ka ftuar udhëheqësin rus në bisedime private në Shtetet e Bashkuara që nga viti 2007.

Trump, me tonin e tij të drejtpërdrejtë, e ka përshkruar pritshmërinë për këtë takim me një paralajmërim dhe një premtim: “Nëse takimi shkon keq, do të mbyllet shumë shpejt. Nëse shkon mirë, do të mund të arrijmë paqen në një të ardhme shumë të afërt”.

Nga ana tjetër, zëdhënësi i Kremlin-it, Dmitry Peskov nënvizoi se të dy liderët kanë “vullnet të mirë politik” për të zgjidhur çështjet përmes dialogut, duke thumbuar se kjo mungon nga udhëheqësit evropianë.

“Presidenti Putin dhe Presidenti Trump do të flasin dhe do të diskutojnë çështjet më të vështira”, shtoi ai.

Një takim me peshë historike 

Ironia e rastit nuk mund të shpërfillet: bisedimet për luftën në Ukrainë do të zhvillohen në Joint Base Elmendorf-Richardson, një bazë që dikur shërbente si një nga pikat kyçe të mbrojtjes amerikane kundër Bashkimit Sovjetik gjatë Luftës së Ftohtë.

Nga monitorimi i avionëve rusë në afërsi të hapësirës ajrore amerikane, deri tek strehimi i avionëve F-22 Raptor sot, baza ka ruajtur rolin strategjik edhe pas rënies së Murit të Berlinit.

Sipas analistit Benjamin Jensen nga CSIS, zgjedhja e këtij vendi i jep Trump-it mundësinë të tregojë forcën ushtarake amerikane, duke shmangur protestat dhe duke siguruar një mjedis të mbrojtur për bisedime të ndjeshme.

Për Putinin, baza ka një avantazh tjetër: ndodhet vetëm 90 kilometra nga Rusia, një udhëtim që shmang hapësirën ajrore të vendeve “armiqësore” dhe simbolikisht largon fokusin nga Evropa dhe Kyiv-i.

Çfarë kërkon secila palë?

Sipas Washington Post, vetë fakti që Putin takohet me Trump në tokë amerikane është një fitore strategjike për të, duke e vendosur Rusinë sërish në “klubin e fuqive të mëdha” që përcaktojnë rendin botëror.

Ai ka shmangur për momentin kërcënimet e Trump për sanksione të ashpra ndaj naftës ruse dhe ka larguar çdo ide të menjëhershme për armëpushim, ndërsa ka bindur presidentin amerikan që të mos ftojë Zelensky-in në tryezë.

New York Times shkruan nga ana tjetër se vetëbesimi i Putin-it buron nga një ushtri ruse e rigjeneruar pas krizës së vitit 2022.

Ai e sheh luftën si një garë konsumimi ku Rusia ka avantazh – më shumë trupa, më shumë armë, dhe një vendosmëri për të luftuar deri sa të marrë marrëveshjen e paqes që kërkon.

Nëse Alaska nuk i ofron atë që kërkon, ai është i gatshëm të vazhdojë luftën.

“Unë i kam përcaktuar objektivat e Rusisë”, ka thënë ai. “Këto kushte mbeten padyshim të njëjta”.

BBC, përmes Steve Rosenberg, e sheh takimin si një “certifikatë” që Rusia nuk është më e izoluar.

Për Putinin, kjo nuk është vetëm njohje ndërkombëtare, por edhe një shans për të fituar mbështetjen amerikane për kërkesat territoriale në Ukrainë – një hap që, nëse Kyiv-i e refuzon, mund të çojë Trump-in drejt ndërprerjes së mbështetjes për Ukrainën.

Nga ana tjetër, problemet ekonomike të Rusisë mund ta shtyjnë Kremlin-in drejt kompromisit, megjithëse për momentin nuk ka shenja të tilla.

Për Trump-in, sipas korrespondentit të BBC-së në Amerikë, Anthony Zurcher, takimi është një mundësi për të realizuar premtimin e tij të fushatës: ta mbyllë luftën shpejt dhe të fitojë lavdinë e një “paqebërësi”.

Megjithatë, qëndrimet e tij të luhatshme – nga pezullimi i ndihmës ushtarake për Kyiv-in, te bisedat për “shkëmbim territoresh” – e bëjnë të paparashikueshëm rezultatin.

Evropa, Ukraina dhe frika nga një marrëveshje e dëmshme

Një ditë para samitit, Zelensky vizitoi Londrën për t’u takuar me kryeministrin britanik Keir Starmer, pas një videokonference me Trump dhe liderët evropianë.

Edhe pse Trump i siguroi se do të synonte një armëpushim, shqetësimi i përbashkët mbetet: një marrëveshje që favorizon Moskën dhe sakrifikon integritetin territorial të Ukrainës.

Starmer e quajti samitin “jashtëzakonisht të rëndësishëm” dhe paralajmëroi se çdo marrëveshje duhet të garantojë kufijtë e Ukrainës dhe të mbështetet nga garanci të forta sigurie.

Macron, nga ana e tij, theksoi se ndonëse NATO nuk do të jetë pjesë e garancive, SHBA-të kanë shprehur gatishmërinë për të marrë pjesë në një mekanizëm ndërkombëtar sigurie pas luftës – një deklaratë që u përshëndet edhe nga presidenti i Këshillit Evropian Antonio Costa.

Presidentja e Komisionit të BE-së, Ursula von der Leyen, e quajti gjithashtu takimin virtual “shumë të mirë”.

“Ne shkëmbyem mendime mbi takimin e ardhshëm dypalësh në Alaska. Sot Evropa, SHBA-të dhe NATO kanë forcuar terrenin e përbashkët për Ukrainën”, tha Von der Leyen në mediat sociale. “Ne do të mbetemi në koordinim të ngushtë. Askush nuk dëshiron paqe më shumë se ne, një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme”.

Fushëbeteja: një përshpejtim i frikshëm

Ndërsa diplomatët bëjnë llogaritë e marrëveshjeve të mundshme, në terren, lufta po hyn në një fazë më të ashpër.

Më 12 gusht, Rusia shënoi avancimin më të madh 24-orësh në Ukrainë në mbi një vit, duke marrë 110 kilometra katrorë në rajonin e Donetsk-ut.

Trupat ruse po afrohen drejt qytetit strategjik të Pokrovsk-ut, një nyje kyçe për linjat e furnizimit ukrainase.

Guvernatori i Donetsk-ut urdhëroi evakuimin e detyruar të fëmijëve nga disa qytete, ndërsa Zelensky paralajmëroi se Rusia po përgatitet për ofensiva të reja.

“Ne shohim se ushtria ruse nuk po përgatitet për ta përfunduar luftën. Përkundrazi, po ndërmerr hapa që tregojnë se po përgatitet për operacione të reja sulmuese”, tha ai.

Në të njëjtën kohë, Ukraina goditi një stacion pompimi nafte në rajonin Bryansk të Rusisë, duke ndezur një zjarr të madh dhe duke dëmtuar rrjetin e furnizimit të ushtrisë ruse.

Të dyja palët, në prag të takimit të Alaskës, po kërkojnë të forcojnë pozicionin e tyre – njëra nëpërmjet terrenit të fituar dhe presionit ushtarak, tjetra përmes sulmeve që synojnë logjistikën dhe moralin e armikut.

Në këtë sfond, TrumPutin nuk është thjesht një takim. Është një betejë narrative, diplomatike dhe strategjike, ku fjalët e dhëna dhe të pathëna mund të përcaktojnë jo vetëm fundin e luftës më të madhe në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore, por edhe rendin global të dekadës që vjen.

Advertisement