Bota
Trupa europiane në Groenlandë: Trump nuk ndikohet fare, plani vazhdon
Dërgimi i trupave evropiane në Groenlandë nuk ka asnjë impakt tek planet e presidentit Donald Trump për të marrë nën kontroll ishullin arktik nga Danimarka.
Deklarata është bërë nga zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt.
“Nuk mendoj se trupat evropiane ndikojnë tek procesi vendimmarrës i presidentit dhe as tek synimi i tij për marrjen e Groenlandës”, deklaroi Leavitt.
Komentet e saj erdhën ditën kur personeli ushtarak evropian nisi të mbërrinte në territorin autonom, pak orë pas një takimi mes zyrtarëve amerikanë e danezë në Uashington, që dështoi të zgjidhte mosmarrëveshjet e thella të dy vendeve.
Franca, Suedia, Gjermania dhe Norvegjia ishin të parat që njoftuan dërgimin e personelit ushtarak në kuadër të misionit mbikëqyrës në kryeqytetin e Groenlandës, Nuk.
Ministria gjermane e Mbrojtjes deklaroi se misioni në fjalë synon të eksplorojë opsionet për garantimin e sigurisë përballë kërcënimeve ruso-kineze në Arktik.
Duke folur pas takimit, tek i cili nuk ishte i pranishëm, për herë të parë Trump përdori tone pajtuese, duke u shprehur i vetëdijshëm për interesat e Danimarkës, edhe pse sërish nuk e përjashtoi opsionin ushtarak.
“Kam një marrëdhënie shumë të mirë me Danimarkën dhe do të shohim se si ky problem do të zgjidhet. Sepse besoj se një zgjidhje do ta gjejmë”, tha Trump.
Ai ritheksoi se vendi nordik është i pafuqishëm përballë Rusisë dhe Kinës, nëse këto të dyja përpiqen të aneksojnë Groenlandën, por shtoi se Shtetet e Bashkuara kanë kapacitetet e duhura.