Kosova
Trupa shtesë për Kosovën, NATO: Do të sigurojmë mjedis të sigurtë
Këshilli i Atlantik i Veriut u takua sot për të diskutuar situatën në Kosovë. Në komunikatën pas këtij takimi, aleatët shprehën shqetësimin e tyre të thellë për tensionet në rritje në veri të Kosovës.
“Misioni KFOR i NATO-s mban një prani të dukshme dhe të shkathët në mbarë Kosovën. Ne gjithmonë do të ndërmarrim të gjitha veprimet e nevojshme për të ruajtur një mjedis të qetë, të sigurt dhe lirinë e lëvizjes për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë. Ne e bëjmë këtë në mënyrë të paanshme dhe në përputhje me mandatin tonë të OKB-së”.
NATO ka njoftuar se dje Këshilli i Atlantikut të Veriut autorizoi forca shtesë për të adresuar situatën aktuale.
“Që nga maji, ne kemi përmirësuar praninë dhe qëndrimin e KFOR-it. Vetëm dje Këshilli i Atlantikut të Veriut autorizoi forca shtesë për të adresuar situatën aktuale. Ne gjithmonë do të vazhdojmë të sigurohemi që komandanti ynë të ketë burimet dhe fleksibilitetin e nevojshëm që KFOR-i të përmbushë mandatin e tij. Ne jemi të gatshëm të bëjmë rregullime të mëtejshme në qëndrimin e KFOR-it sipas nevojës”.
Në këtë komunikatë i bëhet thirrje Kosovës dhe Serbisë që t’i zgjidhin mosmarrëveshjet përmes dialogut të udhëhequr nga BE-ja.
“U bëjmë thirrje të gjitha palëve që urgjentisht të de-përshkallëzojnë. Ne vazhdojmë t’i bëjmë thirrje Beogradit dhe Prishtinës që të angazhohen në dialogun e lehtësuar nga BE-ja, si mënyra e vetme për të zgjidhur çështjet e pazgjidhura dhe për të arritur zgjidhje që respektojnë të drejtat e të gjitha komuniteteve. Ky është çelësi për sigurinë e qëndrueshme në Kosovë dhe stabilitetin në rajon”.
KFOR-i tha se vazhdon të koordinohet ngushtë me të gjitha palët relevante në Kosovë dhe Serbi, “si dhe me Misionin e BE-së për Sundimin e Ligjit (EULEX), OSBE-në, Misionin e OKB-së në Kosovë dhe komunitetin diplomatik”.