Connect with us

Aktualitet

Truss merr ‘frenat’, po fati i shqiptarëve në gomone?

Fluksi i madh i emigrantëve shqiptarë që po përpiqen të hyjnë ilegalisht në Britaninë e Madhe, ka detyruar ligjvënësit atje të kërkojnë rikthimin e skemës së Ruandës.

Plani parashikon që individët e identifikuar nga qeveria si emigrantë të paligjshëm apo azilkërkues të risistemohen në Ruandë, dhe vetëm paskësaj do shqyrtohen kërkesat për azil.

Po çfarë do të ndodh me emigrantët shqiptarë pasi Truss u zgjodh kryeministre e Britanisë së Madhe?

Truss në fushatë, i ka shfrytëzuar intervistat në media për t’u përplasur në distancë me kundërshtarët lidhur me pikëpamjen mbi menaxhimin e fluksit të azilkërkuesve.

Ajo është përpjekur të josh anëtarët konservatorë me idetë e saj mbi çështjen e kontrollit të kufijve të Britanisë dhe është zotuar se “nuk do të fshihet” pas Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriu, që së fundmi bllokoi planin e Boris Johnson për të dërguar emigrantët në Ruandë.

“Si kryeministre, jam e vendosur të shoh politikën e Ruandës deri në zbatimin e plotë, si dhe të eksploroj vende të tjera me të cilat mund të punojmë për partneritete të ngjashme. Do të sigurohem që të kemi nivelet e duhura të forcës dhe mbrojtjes në kufijtë tanë dhe nuk do t’i drejtohem Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut dhe përpjekjeve të saj të vazhdueshme për të kontrolluar politikën e imigracionit”, ka thënë më herët Truss.

Rrjedhja e të dhënave në Britaninë e Madhe, zbuloi se 4 në 10 emigrantë të paligjshëm që mbërrijnë në vend, janë shqiptarë. Ata përbëjnë 37.5 përqind të të gjithë atyre që kanë hyrë ilegalisht në Britaninë e Madhe, duke eklipsuar shtetasit afganë, iranianë, irakianë dhe sirianë. Deputetët britanikë kanë kërkuar nga Truss të veprojë me urgjencë dhe të dyfishojë përpjekjet për deportimin e emigrantëve në Ruandë.

 

Advertisement