Kosova
Turi i papritur i kreut të CIA-s amerikane, i veshur me hije dhe të panjohura të shumta
Turi i papritur i kreut të CIA-s amerikane Wiliam Burns, është veshur me hije dhe të panjohura të shumta. Pasi vetë natyra e një shërbimi inteligjent është e tillë. Por ekspertë e diplomatë nga zona, tregojnë se kemi të bëjmë me një zhvillim shumë të rëndësishëm. I rëndësishëm, pasi nuk bëhet fjalë as për negocim apo për zgjidhje krizash, me të cilat Burns është marrë shpesh gjatë kësaj periudhe që udhëheq në krye të CIA-s, por me përcjelljen e një ultimatumi shumë të fortë.
Qoftë mediat kroate, ato boshnjake, por edhe serbe, të nivelit politik dhe të ekspertizës, dhe që njihen si serioze, theksojnë se thelbi i këtij turi ka pasur një refren konçiz: “Ballkani nuk është pjesë e rendit të ri botëror”.
E kjo është thënë duke sjellë edhe mesazhe nga njerëz afër Donald Trump. Sido që të shkojnë zgjedhjet amerikane të nëntorit, Marrëveshja e Dejtonit, Bosnja, Kosova do të qëndrojnë kështu siç janë.
Ndërkaq, ‘Jutarnij List’ e Splitit sjell një tjetër të re mbi takimin ndërmjet shefit të CIA-s William Burns dhe kreut të BIA-s serbe, Vladimir Orliç.
Burime në Beograd bëjnë të ditur se Burns nuk ka pranuar të takojë as Aleksandër Vuçiçin, i cili i ka bërë një vizitë natën vonë gjatë një darke që shefi i shërbimit amerikan ka pasur me njerëz të komunitetit të tij.
Sipas medias kroate, Burns ka kërkuar që urgjent të largohen nga BIA, tre drejtorë të rëndësishëm, që njihen edhe si kontakte të Nikollai Patrushevit që ështe kreu i spiunazhit rus.
Madje mësohet, se biseda mes Burns dhe Orliç është zhvilluar në rusisht. Që sipas njerëzve të BIA-s, konsiderohet një provë për të parë nëse bashkëbiseduesi i tij, ishte i trajnuar me mënyrën e Patrushev. Të cilin Burns e njeh shumë mirë si ish-ambasador i SHBA në Moskë, ku ka kaluar mjaft kohë në bashkëbisedim me krahun e djathtë të Vladimir Putinit.
E sipas ‘Jutarnij List’, njeh në mënyrë perfekte shprehjet dhe fjalorin e tij. Kreu i CIA-s është jo vetëm një njohës perfekt i rusishtes e këtë e ka treguar në përkthime kryeveprash letërsie dhe të shkencës filologjike ruse në anglisht, por është edhe një folës i pasionuar i gjuhës ruse. E kjo i jep një avantazh të rëndësishëm.
Buns, përveç rusishtes flet arabishten në mënyrë perfekte. Negociatat e fshehta me palestinezët i ka drejtuar duke folur gjuhën e tyre.
William Burns është një nga njerëzit e paktë në botë që di gjithçka që ka ndodhur në tridhjetë vitet e fundit.
Ish-diplomati, ambasador në Moskë, gëzonte besimin e të gjithë presidentëve amerikanë, ai doli në pension në vitin 2014, por Joe Biden, me ardhjen në pushtet, e ktheu në shërbim, në pozicionin e drejtorit të Agjencisë Qendrore të Inteligjencës (CIA).
Një nga njerëzit më të fuqishëm në administratën aktuale dhe në botë. Kur një njeri i tillë vjen në Sarajevë (e martë), nuk ka dyshim se ai ka sjellë një mesazh që nuk diskutohet por zbatohet.
Burns u takua me Presidencën e BiH, e cila përfshin gjithashtu Zheljka Cvijanoviç, përfaqësuesja e popullit serb, që është nën sanksionet e SHBA.
Në mars, Shërbimi Informativ Kombëtar Amerikan (DNI) publikoi raportin sipas të cilit, Milorad Dodik, po punon për shkëputjen e Republikës Srpska, në bashkëpunim me Moskën dhe shefin e shërbimit sekret serb BIA, Aleksandër Vulin, njeri i afërt i rusëve, i cili organizoi trazirën e Banjskës me Radojçiç, por që u zbulua që pa nisur nga CIA dhe sherbimi britanik, e siç thuhet, me njerëz brenda BIA-s.
Ndërkaq, dje në Sarajevë e në Beograd, thekson ‘Oslobodenje’, e përditshmja historike e Bosnjës, kreu i CIA tha që nuk ka kohë për lojra.
“O me ne o kundër nesh”, kështu ka deklaruar ai në dy kryeqytetet, thekson e përditshmja bosnjake.
Nga ana tjetër, në Prishtinë, Burns i ka bërë të ditur Albin Kurtit e Vjosa Osmanit se Kosova është çështje e mbyllur, nuk do të ketë ridefinim, por një proces me Serbinë për të pranuar realitetin me negociata të koordinuara.
“Nuk ka kohë për lojra”, ka thënë shefi i CIA-s. Gazeta ‘Danas’, një e përditshme mjaft e ekuilibruar pranë opozitës proeuropiane të Beogradit, thekson se veriu i Kosovës nuk do të kthehet më në antenën serbe.
‘Vçernje Novosti’, një nga gazetat më proruse të Beogradit thekson se vizita e Burns tregon se Ballkani është ende në listën e interesave të politikës amerikane. Sipas saj, protestat kundër minierës së litiumit në Serbi, ku Kina ka pjesën më të madhe të basenit janë organizuar nga amerikanët.
Ndërkaq, mungesa e vizitës së tij në Tiranë, është një injorim direkt i rëndësisë që ka shërbimi i Kryeministrit, Edi Rama.