Kosova
Turner: Washingtoni duhet të angazhohet më shumë për zgjidhjen e ngërçit Kosovë-Serbi
Ligjvënësi amerikan, Mike Turner shpreh nevojën për një angazhim më të madh të Shteteve të Bashkuara për zbutjen e tensioneve Kosovë-Serbi, për të shmangur destabilizimin e një rajoni tjetër në Evropë teksa vazhdon agresioni rus në Ukrainë. Ai i bëri këto komente në një intervistë për Zërin e Amerikës, pas një vizite në Ballkanin Perëndimor. Në intervistën për kolegen e shërbimit serb, Milena Durdiç, Kryetari i Komisionit të Përhershëm të Dhomës së Përfaqësuesve shprehu shqetësimin për tensionet mes Prishtinës dhe Beogradit.
Ligjvënësi tha se administrata e Presidentit Biden duhet t’u kushtojë më shumë rëndësi çështjeve të pazgjidhura në Ballkan.
Ai gjithahstu tregoi se në takimin me Presidenten e Kosovës Vjosa Osmani, kishte bërë të qartë nevojën për themelimin e Asociacionit si angazhim i dalë nga dialogu evropian dhe që gëzon mbështetjen e Shteteve të Bashkuara.
Teksa zyrtarë amerikanë kanë paralajmëruar për pasoja si për Prishtinën ashtu edhe për Beogradin, nëse ato nuk i zbatojnë angazhimet e marra, ligjvënësi republikan Mike Turner tha se duhen përpjekje diplomatike aktive dhe mbështetje për gjetjen e zgjidhjes.
“Mendoj se Shtetet e Bashkuara duhet ta bëjnë të qartë se kjo nuk është vetëm një çështje dypalëshe mes Kosovës dhe Serbisë, por zbatimi i angazhimeve të dakorduara është një çështje shumëpalëshe mes BE-së, Shteteve të Bashkuara dhe Kosovës – Bashkimit Evropian, SHBA-së dhe Serbisë” – theksoi Mike Turner
Duke folur për Serbinë, ndërsa Beogradi ende refuzon zbatimin e sanksioneve evropiane kundër Rusisë, Turner tha se në takimin me Presidentin Alexandër Vuçiç e kishte bërë të qartë qëndrimin e Perëndimit.
“Mendoj se Presidenti Vuçiç po ecën në fije të perit në këtë fushë, ndërsa përpiqet të ekuilibrohet në pozicionin ku ndodhet aktualisht”
Ligjvënësi amerikan vuri në dukje investimet e shumta evropiane në Serbi dhe aspiratat e Beogradit drejt Bashkimit Evropian, duke nënvizuar se Vuçiçit përfundimisht i duhet të bëjë një zgjedhje.