Connect with us

Kosova

Turp për Kosovën, populli meriton më shumë/ Ish-zyrtari i lartë amerikan për ngërçin politik

Ish-Ndihmës Sekretari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Philip Reeker, i ka cilësuar një “turp” dështimet për konstituimin e Kuvendit të Kosovës dhe në vlerësimin e tij populli i Kosovës meriton më shumë.

“Duhet të ketë një zgjidhje që siguron qeverisje të mirë, sundim të ligjit dhe marrëdhënie të forta me fqinjët në rajon për të mundësuar përparimin”, ka thënë Reeker, në një intervistë për mediumin serb me seli në Kosovë, Kosovo Online.

Duke folur për procesin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Reeker, ka potencuar se në tavolinën e bisedimeve tashmë është një marrëveshje e cila ofron zgjidhje, por që ajo nuk është zbatuar, sipas tij, nuk është faji i SHBA-ve, po i vetë Kosovës dhe Serbisë.

“Nëse arrihet një marrëveshje, ajo duhet të respektohet. Ose — dilni me ide të reja. Kjo është diplomacia. Nuk mund të mbështeteni te të tjerët për të bërë gjithçka për ju. SHBA-ja ka qenë e përfshirë për shumë vite dhe nuk po largohet — thjesht po themi se kemi prioritete të tjera”, ka theksuar Philip Reeker.

Ai gjithashtu deklaroi se ‘Shtetet e Bashkuara kanë qenë të përfshira në dialogun midis Serbisë dhe Kosovës për shumë vite dhe ende janë, por tani ata thjesht thonë se kanë prioritete të tjera’

Ai kujtoi një sërë marrëveshjesh të arritura, kryesisht periudhën kur ai vetë ishte i përfshirë në proces, përmes mbështetjes për shefen e atëhershme të politikës së jashtme të BE-së, Catherine Ashton.

Advertisement