Kosova
Turqia me ushtri në Kosovë e Ballkan, frika e Serbisë dhe planet e Ankarasë
“Turqia po projekton fuqinë e saj në Ballkan, në të njëjtën mënyrë siç po bën tashmë në Libi, Katar dhe Somali, ku ka kontigjente prej disa mijëra ushtarësh. Politika e jashtme e Ankarasë funksionon sipas doktrinës së vendosur nga ish-kreu i diplomacisë, Ahmet Dautoglu dhe po luan me kartën e lidhjeve të ngushta me shqiptarët dhe boshnjakët” – Kështu deklaroi komentatori ushtarak dhe politik Ivan Miletiç duke treguar se –
“Për një kohë të gjatë shumë qarqe kanë folur për ambiciet e Erdoganit për të ringjallur ndikimin e dikurshëm të Turqisë osmane në Ballkan dhe rrethanat në vitet e fundit kanë qenë në favor të tij. Këtu duhet theksuar se Shqipëria është shtylla kryesore e ndikimit turk në Ballkan. Stërvitja e fundit e përbashkët e Forcave të Sigurisë së Kosovës dhe Forcave të Armatosura të Shqipërisë në bazën e Bizës, sipas interpretimit të ekspertëve të mirë të politikave të sigurisë, pra në një kontekst më të gjerë në fakt tregon depërtimin agresiv të ndikimit turk në Ballkan dhe drejt Serbisë”.
Ankaraja zyrtare dëshiron të përmirësojë aftësitë e Forces se Sigurise se Kosovës, prandaj ajo e ka furnizuar me mortaja vetëlëvizëse të kalibrit 120 mm, si dhe me mjete ajrore pa pilot shumë të afta, të fuqishmit “bayraktar”.
Po cfarë do te thotë e gjithë kjo për planet e Turqisë në Ballkan dhe si do të ndikojë në marrëdhëniet e mëtejshme mes Beogradit dhe Ankarasë?
Komentatori Ivan Miletic paralajmëron se në këtë temë duhet të kemi parasysh faktin se në Turqi rreth gjashtë milionë banorë deklarohen me origjinë shqiptare.
“Tensionet në rritje midis NATO-s dhe Rusisë i japin Turqisë një rëndësi të konsiderueshme strategjike, në krahun jugor të NATO-s, dhe kështu mundësinë për të rritur akoma ndikimin e saj të madh ushtarak në Ballkan, në mënyrë që të sigurojë një prapavijë për forcat tashmë të stacionuara në kufirin me Rusinë, në Rumani.
Mundësia për të projektuar në mënyrë të njëanshme fuqi ushtarake me ndihmën e platformave detare, do t’i lejojë Turqisë, edhe në rast se NATO-ja duhet të përqendrojë forcat e saj sipas sfidave të vendosura nga Rusia, që Turqia ti drejtojë forcat e saj, si një xhandar i ri në Ballkan. Kjo duket tashme ne terren ku shohim se Turqia po punon shumë në stërvitje, integrim dhe stërvitje taktike me ushtrinë e Shqipërisë, por edhe me forcat e sigurisë në Bosnje dhe Hercegovinë dhe forcat e Sigurisë në Kosovë” – potencoi Miletiç.