Connect with us

Bota

Turqia takim me delegacionin e Hamasit/ Qëllimi i Izraelit aneksimi i Bregut Perëndimor?

Ministri i Jashtëm i Turqisë, Hakan Fidan, është takuar me një delegacion të Hamasit në Stamboll, raportoi agjencia shtetërore turke “Anadolu”. Gjatë takimit, Fidan dënoi veprimet e Izraelit në Gaza dhe Bregun Perëndimor, duke i cilësuar ato si përpjekje për të “shkulur palestinezët nga Gaza dhe për të aneksuar Bregun Perëndimor.

Sipas deklaratës së tij, Izraeli po zvarrit negociatat “për të thyer rezistencën palestineze në Gaza dhe për t’i detyruar njerëzit të braktisin shtëpitë e tyre”.

Ky takim vjen në një kohë tensionesh të larta në Lindjen e Mesme dhe shpreh mbështetjen e vazhdueshme të Turqisë për çështjen palestineze, ndërkohë që marrëdhëniet me Izraelin mbeten të tensionuara.

Grupi militant palestinez, Hamasi ka sinjalizuar gatishmërinë e tij për të rifilluar bisedimet e ngecura të armëpushimit në Rripin e Gazës, por vetëm nëse përmirësohet më parë situata humanitare në terren.

 

 

Në një deklaratë zyrtare, Hamasi i konsideron bisedimet në kushtet aktuale të pakuptimta dhe joefektive.  Negociatat indirekte midis Izraelit dhe Hamasit, të mbajtura në Doha dhe të ndërmjetësuara nga SHBA-ja, Egjipti dhe Katari, u ndërprenë së fundi.

Sipas zyrtarëve izraelitë dhe amerikanë, Hamasi i prishi bisedimet duke bërë kërkesa të tepërta.  Pas ndërprerjes, delegacionet amerikane dhe izraelite u kthyen në kryeqytetet e tyre për konsultime.

Të dyja palët fajësojnë njëra-tjetrën për mungesën e përparimit, megjithëse asnjëra nuk i ka deklaruar zyrtarisht negociatat të përfunduara.

Advertisement