Kosova
U arrestua me kërkesë të Serbisë, ish ushtari i UÇK-së Blerim Ramadani “thyen” arrestin shtëpiak në Maqedoninë e Veriut
Ish-pjesëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Blerim Ramadani – i arrestuar muajin e kaluar nga policia maqedonase – ka ikur nga arresti shtëpiak nga shtëpia e të afërmve të tij në Maqedoninë e Veriut.
Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë së Veriut tha të enjten për agjencinë e lajmeve MIA se është duke marrë masa për gjetjen e vendndodhjes së Ramadanit.
Blerim Ramadani në bazë fletarrestit ndërkombëtar të lëshuar në Interpol nga Serbia u arrestua më 17 korrik në vendkalimin kufitar të Jazhincës. Përmbajtja e fletarrestit bazohet në dyshimet e Serbisë se Ramadani në cilësinë e ish-ushtarit të UÇK-së ka kryer krime lufte në rajonin e Nerodimes.
Ministri serb i Punëve të Brendshme, Ivica Daçiq, gjatë vizitës në pikën kufitare të Tabanocit më 25 korrik kërkoi nga autoritet e Shkupit ta ekstradonin Ramadanin në Serbi. Çështja e ekstradimit të Ramadanit u hap edhe gjatë vizitës së ministrit të Brendshëm të Kosovës, Xhelal Sveçla, në Shkup. Ai ka thënë se Shkupi duhet të vendosë në mënyrë të pavarur, duke akuzuar Serbinë për tendencë në prishjen e raporteve mes shteteve të Ballkanit Perëndimor.
Ramadani do të qëndronte në “arrest shtëpie” deri më 16 gusht. Pas kësaj gjykata duhet të vendosë nëse ndaj Ramadanit duhet të nisë procedura e ekstradimit apo të lihet i lirë.
Në Shkup pati protesta që kërkuan lirimin e Ramadanit.