Connect with us

Kosova

U arrestua nga Serbia për krime lufte, ish-ushtari i UÇK-së lihet në paraburgim

Ish-ushtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hasan Dakajt i cili u arrestua nga autoritetet serbe të premten në Merdarë, i është caktuar masa e paraburgimit prej një muaji në Serbi.

Këtë e ka konfirmuar për KosovaPress avokati i familjes, Xhevdet Smakiqi teksa shtoi se do të ushtrohet e drejta për ankesë.

“Ai ndodhet në Beograd në qendrën e paraburgimit nga Kushumli e kanë dërgu. Mbrëmë vonë unë kam marrë informacion nga avokati i caktuar nga shteti serb që i është caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh dhe tash ka me ushtruar ankesë”, ka deklaruar avokati derisa shtoi se ai po dyshohet për krime lufte.

Hasan Dakaj nga Prizreni është arrestuar të premten e 5 janarit, nga autoritetet serbe në pikën kufitare në Merdare.

Nga Prokuroria serbe pretendohet se Dakaj ka kryer krime lufte si 19 vjeçar në vitin 1999.

Reagimi i MPJD-së

Ministria e Punëve të jashtme dhe Diasporës ka dal me deklaratë, duke thënë se kanë njoftuar zyrën e BE-së në Serbi, Ambasadën e ShBA-së dhe atë të Britanisë së Madhe.

“Pas njoftimit mbi arrestimin e dy qytetarëve të Republikës së Kosovës, Hasan dhe Xhavit Daka (ky i fundit tashmë i liruar), Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka aktivizuar të gjithë mekanizmat e saj institucional. Janë njoftuar edhe mekanizmat ndërkombëtarë për veprimet e Serbisë ndaj qytetarëve të Kosovës. Për këtë rast është njoftuar Zyra e BE-së në Serbi, Ambasada e SHBA-ve dhe ajo e Britanisё sё Madhe nё Serbi”, thuhet në njoftim.

MPJD thotë se dënojnë ndalimin, arrestimin dhe keqtrajtimin e qytetarëve të Kosovës në Serbi.

“Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës dënon ashpër ndalimin, arrestimin dhe keqtrajtimin e qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe njëkohësisht i bën thirrje Bashkësisë Ndërkombëtare që të ndermarrë hapa konkret për lirimin e menjëhershëm të qytetarit Hasan Daka dhe njëkohësisht të kërkojë përgjegjësi nga shteti serb për këto veprime arbitrare dhe destruktive dhe që bien ndesh me konventat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut”, thuhet në njoftim.

MPDJ ka njoftuar se do të paraqesë kërkesë zyrtarë autoriteteve serbe për ta lejuar ambasadorin Jashari që ta vizitojë të arrestuarin Hasani.

Advertisement