Connect with us

Kronike

U arrestua për vjedhje/ I varur nga heroina i riu përfundon në koma

Jani Rustemaj, 27-vjeçari i arrestuar për vjedhje ndodhet ende në reanimacionin e QSUT-së. Nëna, e cila ka bërë kallëzim për të zbuluar se çfarë e çoi djalin në këtë gjendje, vijon të lutet që ai të zgjohet. Mjekët thonë se i riu mund të ketë kaluar në koma nga mbidoza e metadonit, që i është dhënë për ta qetësuar nga varësia e heroinës.

Rustemaj u soll nga urgjenca kombëtare, në QSUT, e sipas bluzave të bardha i riu ishte në gjendje të rëndë, në kushtet e e insuficensës respiratore. Parametrat jetësor të të riut janë disi më të përmirësuar, por edhe pas 15 ditësh 27-vjeçari nuk është zgjuar.

Jani Rustemaj u arrestua më 13 prill. Sipas policisë së Tiranës, më 14 prill -gjatë qëndrimit në bllokun e sigurisë në rrugën “Mine Peza” ka shfaqur probleme shëndetësore. Është njoftuar shërbimi i emergjencës mjekësore, – thotë policia – të cilët janë paraqitur në ambientet e Bllokut të Sigurisë dhe pas ndihmës mjekësore të dhënë, gjendja e tij është përmirësuar”.

Pikërisht ky moment që pritet të hetohet më tej edhe nga prokuroria, mund të hedhë dritë, nëse të riut i është dhënë mbidozë metadoni, që mund t’i ketë sjellë gjendjen e rëndë në të cilën ndodhet sot.

Një ditë pasi dyshohet të ketë pirë metadon, më 15 prill Jani Rustemaj është dërguar në gjykatë, ku pavarësisht gjendjes shëndetësore që kishte kaluar, togat e zeza i vendosën masën e sigurimit personal të arrestit me burg.

Më 16 prill 27-vjeçari është dërguar në paraburgim te 313-a, por autoritetet e burgut, “nuk kanë pranuar që ta marrin në dorëzim – thotë zyrtarisht policia- për shkak të mbingarkesës në këtë institucion dhe në këto kushte ai është rikthyer dhe vendosur përsëri në Bllokun e Sigurisë Tiranë”. Më 17 prill i riu i arrestuar ka shfaqur përsëri shqetësime shëndetësore dhe pas ardhjes së emergjencës shëndetësore është transportuar në spitalin “Nënë Tereza”.

Advertisement