Kronike
U arrestua sot nga SPAK/ Kush është inxhinieri multimilioner
Arben Dervishaj, zv. presidenti i FSHF, anëtar i Komitetit Ekzekutiv të Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF) prej vitesh, është prangosur si i dyshuar si i përfshirë në skandalin e pagesave të dyshimta në çështjen e inceneratorit të Fierit në Shqipëri. Arben Dervishaj që njihet si një nga njerëzit më të afërt të Armand Dukës ka përfituar mbi 740 mijë dollarë ose 744 milionë lekë të vjetra për konsulencën e dhënë për inceneratorët. Sipas raportimeve të mëparshme paratë rezultojnë të jenë marrë në 4 vite të ndryshme, përmes 21 faturave nga 2018-2021, në shuma te ndryshme që variojnë nga 80 milionë lekë të vjetra deri në 313 milionë lekë të vjetra në vit. Emri i tij doli në skenë në dëshminë që dha në Komisionin Hetimor për Inceneratorët, administratorja e koncesionit të Tiranës, Arjola Kodra. Administratorja Kodra ka bërë të ditur se firma e “Integrated Energy BV SPV”, ka paguar konsulencën për kompaninë “Ave Consulting” sh.p.k. Kjo kompani, sipas Arjola Kodrës, është supervizore e koncesionit! “Kush është supervizor? Shoqëria ‘Ave Consulting’ sh.p.k. Autori është zoti Arben Dervishaj”, iu përgjigj Arjola Kodra pyetjeve të kryetares së këtij Komisioni, Jorida Tabaku. Arben Dervishaj është pjesë e Komitetit Ekzekutiv të FSHF-së prej dy mandatesh dhe njihet si një njeri i besuar i Presidentit të FSHF-së, Armando Duka.