Connect with us

Kronike

U arrestuan nga SPAK për trafik droge/ GJKKO lë në fuqi masat “Arrest me burg” për 3 ish-efetivët

Gjykata e Posaçme ka lënë në fuqi masat e sigurisë “arrest me burg”, për tre ish-efektivët e arrestuar pak ditë më parë në kuadër të një operacioni antidrogë të zhvilluar nga SPAK.

Konkretisht janë lënë në burg: Shkëlzen Ruska, shef i krimeve në Komisariatin e Himarës, Ervis Alisinanaj, shef i krimeve në Komisariatin e Lushnjës, dhe ish-efektivi i Forcave Operacionale, Erdit Hazizaj. Sakaq vijon të jetë në kërkim shefi i Komisariatit i Policisë Kufitare në Sarandë, Elvis Dërvishi.

Prokuroria i akuzon tre ish-evektivët për “Trafikimi i Narkotikëve”, “Grup i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale”, “Shpërdorim detyre”  dhe “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”.

Sipas SPAK, hetimet kanë nisur prej disa kohësh për efektivët e arrestuar, pasi në aplikacionet Sky Ecc rezultoi se këta të fundit ishin të përfshirë me banda kriminale në fushën e narkotikëve dhe jo vetëm.

SPAK zbardh skemën e grupit kriminal

Në njoftimin e SPAK bëhet me dije se gjatë viteve 2019-2021 në Sarandë vepronte një grup i strukturuar kriminal i cili kultivonte lëndë narkotike në ambiente të mbyllura dhe e trafikonte drejt Greqisë. Më tej thuhet se ajo që vihet re nga hetimet është se në rastet kur anëtarët e këtij grupi arrestoheshin, anëtarët e tjerë interesoheshin për t’i garantuar ndihmë ekonomike personave të arrestuar si edhe sigurimin e mbrojtjes në proceset gjyqësore.

SPAK thekson se 3 efektivët e lartpërmendur duke shfrytëzuar pozicionin e tyre të atëhershëm si punonjës të policisë së shtetit, ndihmonin drejtuesit e grupit të strukturuar kriminal, me këshilla dhe informacione të vazhdueshme për mirëfunksionimin e veprimtarisë kriminale në lidhje me trafikimin e narkotikëve, si dhe duke u siguruar anëtarëve të tjerë të grupit të strukturuar kriminal siguri në këtë veprimtari.

Gjatë ekzekutimit të vendimeve të gjykatës është ushtruar kontroll, ku janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale sende të ndryshme si telefona, armë etj, dhe po vazhdojnë kontrolle në  banesa dhe ambiente të tjera.

3 efektivët shkarkohen nga detyra

Pas arrestimit, dhe zbardhjes së skemës së grupit kriminal ku akuzohen si të implikuar 3 efektivët janë pezulluar nga detyra. Një ditë më parë Policia sqaroi se Ruska, Alisinanaj dhe Hazizaj janë shkarkuar nga postet e tyre dhe Drejtoria e Standardeve Profesionale ka nisur hetimin disiplinor për shkelje të rëndë ndaj këtyre punonjësve

Advertisement