Aktualitet
U betua për vetëgjyqësi për djalin e plagosur/ Prokuroria i jep të drejtë autorit: U vetëmbrojt

Gjykata e Sarandës ka liruar autorin e plagosjes së ndodhur më 27 mars, 17- vjeçarin K. Cora, duke caktuar ndaj tij masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”. Prokuroria ka dalë në përfundimin se plagosja nga ana e Corës është kryer për vetëmbrojtje.
Dyshohet se fillimisht ka qenë Kalemi ai që ka tentuar të godasë bashkëmoshatarin. Ky i fundit në kushtet e vetëmbrojtjes e ka plagosur atë me thikë. Për këtë prokurorja Esmeranda Basho ndryshoi akuzën ndaj tij në “Plagosje e rëndë në kapërcim të kufijve të mbrojtjes së nevojshme” dhe kërkoi vleftësimin të ligjshëm të arrestimit në flagrancë dhe caktimin ndaj të dyshuarit të masës së sigurimit “Arrest në shtëpi”. Edhe Gjyqtarja e hetimeve paraprake Edona Vajushi, vendosi të njëjtën masë sigurimi ndaj Corës, i cili për 7 muaj mbush moshën madhore.
B. Kalemi u plagos 3 herë me thikë gjatë konfliktit me bashkëmoshatarin e tij. I ati i tij në një deklaratë për mediat kërkoi drejtësi për të birin e plagosur dhe tha se do të bëjë vetëgjyqësi.

