Sport
U dëmtua rëndë dhe humbi sezonin, shfajësohet trajneri De La Fuente: Vetë deshi…
Një dëmtim që do ta mbajë larg fushave të blerta për të paktën 1 vit. Ky ishte verdikti i infermierisë së Barcelonës, pasi mësuan se mesfushori i tyre Gavi, pësoi një lëndim të rëndë duke bërë që akuza të shumta ti drejtohen trajnerit të Spanjës Luis de la Fuente, i cili në një intervistë për “Cadena SER” ka sqaruar njëherë e mirë këtë çështje, duke thënë se vetë futbollisti dëshironte të luante.
“Barcelona nuk më kërkoi që të mos e lija Gavin të luante në ndeshjen e dytë dhe nuk e di se e kanë thirrur Federatën. Kur janë me ne, lojtarët duhet të mendojnë vetëm për kombëtaren, ashtu si kur largohen duhet të përqendrohen vetëm te klubi i tyre. Ne donim ta përdornim vetëm për 45 minuta. Ne gjithmonë i japim përparësi shëndetit të lojtarit. Të gjithë lojtarët e thirrur duan të luajnë çdo ndeshje, veçanërisht Gavi. Një ditë pas ndeshjes kundër Qipros, ai donte të stërvitej me një seancë normale në vend që të rikuperohej”.
Trajneri i Kombëtares foli për momentet pas dëmtimit të lojtarit të Barcelonës: “Kam folur me të në pjesën e parë dhe ai më tha se pas goditjes së parë nuk kishte asgjë. Mjekët nuk vunë re asnjë problem në gjurin e tij dhe e lejuan të vazhdonte të luante. Nëse do ta kishim kuptuar që dëmtimi ishte i dukshëm apo lojtari do të na kishte paralajmëruar nuk do të kishte qëndruar as gjysmë sekonde në fushë. Mendimet e mjekëve? Nuk kam dëgjuar apo lexuar mediat për një kohë, jetoj më i qetë. Ishte një aksident, futbolli është një aktivitet me rrezik maksimal, siç ndodhi me Zheremi Pino në stërvitje. Lodhje? Të gjithë futbollistët duan të luajnë”, përfundoi De La Fuente.