Kronike
U dhunua barbarisht nga ish i dënuari pse nuk i dha birra, vdes në spital i moshuari në Fier
Namik Rustemi, 80-vjeçari i cili u dhunua barbarisht nga 47-vjeçari Ilir Nukaj nuk ka arritur të mbijetojë. Burime për mediat bëjnë me dije se i moshuari ka ndërruar jetë mëngjesin e kësaj të premte pas qëndrimit prej ditësh në gjendje të intubuar.
80-vjeçari Namik Rustemi dhe bashkëshortja e tij 77-vjeçare u dhunuan brutalisht nga Ilir Nukaj, një person me precedent kriminal. E gjithë ngjarja ndodhi më 13 tetor, në fshatin Polovecë të Fierit. Sipas asaj që u bë me dije më herët Nukaj dhunoi çiftin e të moshuarave pasi këta të fundit nuk pranuan që t’i jepnin alkool në lokalin e tyre.
Prej asaj dite, si pasojë e agresionit Namik Rustemi ndodhej në gjendje të rëndë shëndetësore në spitalin e Fierit. Ndërkohë, policia vendosi në pranga Ilir Nukajn, banues në fshatin Povelcë, person me precedentë penalë për krime ndaj personit dhe i dënuar më parë me 10 vite burg për tentativë vrasjeje.
Ngjarja e rëndë ndodhi në ambientet e jashtme të dyqanit ushqimor në pronësi të 80-vjeçarit teksa për motive të dobëta autori e goditi me grushte në pjesën e kokës dhe më pas bashkëshorten e tij, shtetasen A. Rustemi, 77 vjeçe.
Si pasojë e dhunës, i moshuari u intubua në gjendje të rëndë në spitalin rajonal të Fierit, ndërsa bashkëshortja e tij pasi mori mjekimin e duhur u largua në banesën e tij.