Aktualitet
U dhunua për ngacmim, reagon mësuesi: Sajesë
Mësuesi i dhunuar brutralisht mbrëmjen e djeshme në Tepelenë, Kleanth Laçi ka reaguar pas akuzave të rënda të autorit, tashmë të vetëdorëzuar në polici.
Reagimi i plotë i mësuesit Kleanthi Laçi:
Ndihem tejet i tronditur dhe i shokuar nga kjo akuzë e tmerrshme dhe tërësisht e pavërtetë ndaj meje. Një sajesë e llahtarshme që nuk mund të jetë menduar nga një femijë, për të cilën nuk gjej dot arsyen. Deri sot kam qenë në shok total pasi nuk kuptoja se pse më ndodhi situata e djeshme dhe i vetmi mendim ishte që me siguri më kanë ngatërruar me dikë tjetër. Kjo e sotmja është e pabesueshme!
Unë kam 20 vjet në profesion dhe kurrë nuk ka ndodhur të kryej asnjë veprim apo sjellje të gabuar me asnjë person në qytet, aq më pak me një nxënëse. Familjarisht kemi marrëdhënie të mira dhe të afërta me familjen e vajzës prej vitesh dhe asnjëherë nuk ka pasur asnjë ndryshim apo shqetesim nga familjarët a vetë vajza.
Nuk e di arsyen e këtij trillimi të tmerrshëm për mua dhe familjen time dhe as mund ta imagjinoja që mund të ndodhte ndonjëherë një ngjarje e tillë. Nuk gjej dot shpjegim logjik për situatën, por ndoshta presioni apo ndikimi për arsye të panjohura prej meje në këto momente kanë çuar nxënësen time të bëjë një akuzë të tillë mostruoze.