Kronike
U ekzekutua sot në oborrin e banesës së tij, saga e atentateve ndaj ish-policit të burgjeve Gentian Bejtja
Gentian Bejtja, ish-polic burgjesh, i cili u ekzekutua me armë zjarri këtë të premte, ka qenë disa herë në shënjestër të atentateve. Më 4 korrik të vitit të shkuar, ndaj Bejtjes u organizua një tjetër atentat ku mbeti i vrarë vëllai i bashkëshortes së tij, Ramazan Sino, dhe iu plagosën dy fëmijët e tij, 13 dhe 8 vjeç.
Në 9 janar të vitit 2022 Gentian Bejtja ish-polic burgu, i shpëtoi një atentati me breshëri kallashnikovi, në afërsi të Niklës në Fushë-Krujë, por u plagos në krah miku i tij 31 vjeçar Klodian Stafuka, i cili ndodhej me të në të njëjtën makinë gjatë momentit kur ndaluan mjetin për ta furnizuar me karburant. Në shtator të vitit 2016, ndaj tij u bë një atentat me tritol.
Bejtja po udhëtonte me makinën e tij tip “Tuareg”, në fshatin Nikël të Krujës, kur nga poshtë mjetit shpërtheu eksplozivi që e dëmtoi rëndë në këmbë. Ngjarjet nuk u zbardhën asnjëherë nga organet e drejtësisë.
Bejtja ishte njëri nga njerëzit që piu kafe me Enver Stafukën, pak minuta para se të rrëmbehej dhe të zhdukej në mes të Fushë-Krujës, natën e 8 shkurtit të vitit 2015. I njohur si ish-mik i Durim Bamit, person me rrezikshmëri të lartë shoqërore, 42-vjeçari Gentjan Bejtja ka qenë i dyshuar për një seri ngjarjesh në zonën e Fushë-Krujës.
42 vjeçari, u përmend shumë si personi i cili dyshohet që së bashku me Enver Stafukën kishin vjedhur makinën me të cilën u krye vrasja e kryekomisar Dritan Lamajt, ngjarje e ndodhur më 24 shkurt 2013. Por me vendim gjykate Betja dhe Stafuka u shpallën të pafajshëm me 13 nëntor 2013, pasi u vlerësua se nuk kishte prova të mjaftueshme për dënimin e tyre për akuzën e vjedhjes në bashkëpunim.
Gentian Bejtja është shoqëruar edhe për dy atentate, atë të vrasjes së Ilias Çalit në autostradën Tiranë-Durrës, në prill të 2022-it dhe atentatit ndaj Marklen Hakës në qershor të atij viti, por nuk u gjetën prova për ta fajësuar si autor të dyshuar.