Connect with us

Aktualitet

U grabit dhe u dhunua nga dy të rinj, e moshuara: Njëri më goditi nga pas

E moshuara Kaleme Dardha nga fshati Shenepremte i Divjakës ka rrëfyer për mediat tmerrin e kaluar tre ditë më parë, kur dy persona hynë në banesën e saj me dhunë, e dhunuan dhe i morën bizhuteri floriri.

Ajo ka treguar se hajdutët kanë qenë me kapuçë dhe se ka luftuar me ta.

“Unë isha vetëm, fillikat në shtëpi. Ishte ora 12:30. Dola në banjë dhe kur u ktheva do hyja te dhoma e gjumit, dera e jashtme hapur. Thashë ka fryrë erë dhe është hapur dera, e mbylla. Pasi u ktheva për të hyrë në dhomë, ai nga mbrapa, më kapi nga mbrapa, më vuri pas pllakës, përmbys. Pastaj torturë. Nuk më tha asgjë. Ishte me kapuç. Më vuri gjunjët te mesi, më kapi qafën ma përdrodhi. Hej Zot i madh. Isha vetëm në shtëpi. Më kapi në gojë me gishta, unë e kafshova dhe si duket i dhembi dhe më lëshoi, gjaku shkoi rrëke. Kur e kafshova më lëshoi dhe doli jashtë. Thashë o Zot i madh çfarë ju kam bërë, por torturë e madhe. Nuk kanë marrë gjë në shtëpi, vetëm vëthët dhe unazat që kisha vënë. Pasi iku ai, po më shkonte gjaku, mora leckën për të larë gjakun e lajmërova komshinjtë me telefon. Erdhën komshinjtë më gjetën të larë në gjak. Kam vuajtur të zezën e ullinjve. E quajta veten të vdekur. Pastaj më çuan në spital. A bëhet kjo gjë, duke ndenjur në shtëpi, një plakë 82 vjeçe të dhunohet?!”, ka rrëfyer e moshuara.

 

 

Policia ka arrestuar dy autorët Adrian Balla, 25 vjeç dhe Gentian Keçi, 19 vjeç.

Advertisement