Politike
U hiqet licenca 11 noterëve, ministri Manja paralajmëron aksion
Ministri i Drejtësisë Ulsi Manja ka njoftuar heqjen e licencës për 11 noterë në mbarë vendin si dhe sekuestrimin e 17 arkivave noteriale.
Operacioni është zhvilluar gjatë periudhës Janar-Gusht 2024. Sipas ministrisë, kontrollet kanë ardhur si pasojë e ankesave të qytetarëve.
“Gjatë periudhës Janar-Gusht 2024, Ministria e Drejtësisë ka forcuar dhe intensifikuar kontrollet në zyrat noteriale në të gjithë vendin, duke realizuar 42 inspektime, një rritje e ndjeshme krahasuar me vitin e kaluar. Këto kontrolle kanë ardhur si përgjigje ndaj shqetësimeve të ngritura nga qytetarët, si dhe për të garantuar zbatimin e rregullave ligjore nga ana e noterëve.
Si rezultat i këtyre inspektimeve të thelluara, janë marrë masa administrative ndaj 22 noterëve të cilët janë konstatuar me shkelje. Prej tyre, 11 noterëve u është hequr përfundimisht licenca, 4 të tjerë janë pezulluar, ndërsa ndaj 7 noterëve janë vendosur masa administrative. Gjithashtu, janë sekuestruar 17 arkiva noteriale” ka njoftuar Manja.