Aktualitet
U kap me Ramazan Rrajën, lihet në burg Louis Konomi
Louis Konomi alias Elton Llozhi alias Luiz Llozhi është lënë në masën e sigurisë ‘arrest me burg’ një ditë pasi u arrestua nën shoqërinë e Ramazan Rrajës. Të dy u kapën në urën e Gjoles në Fushë Krujë. Konomi së bashku me Edmir Bocin kërcënuan biznesmenin Eral Myftaraj për t’u tërhequr nga tenderi të cilin e kishte fituar. Ata ishin pajtuar nga biznesmeni Shaqir Alcani dhe djali i tij Algert Alcani për të kërcënuar konkurrentin në tender Eral Myftaraj.
Si ndodhi kërcënimi?
Myftaraj, që zotëron një kompani me zyrat qendrore në Cërrik fitoi një tender 1 milion eurosh për furnizimin me lëndë drusore në shkolla. Ai u kërcënua që të hiqte dorë, në të kundërt do t’i vrisnin anëtarët e familjes. Por, biznesmeni s’u tërhoq dhe bëri kallëzim në polici, pas të cilit ndodhën dhe arrestimet. Babë e bir, Shaqir dhe Algert Alcani dyshohet se janë organizatorët. Kjo pasi, Shaqir Alcani është pronar i ‘Alcani Sh.p.k’ që fitonte thuajse gjithë tenderat për lëndët drusore që jepeshin nga Bashkia Tiranë dhe këtë herë s’e kanë pranuar humbjen përballë Myftarajt. Tëgjithë tashmë ndodhen në pranga.