Aktualitet
“U ktheva sepse kryeministri bëri thirrje që të rinjtë të kthehen”/ I riu nga Thethi: Nuk e mbajti fjalën, po më shembin ëndrrat

Klodian Harusha, pronari i një shtëpie prej druri dhe një lokali (bar-kafe) në Theth, të cilat janë pjesë e 80 objekteve për shembje si pasojë e aksionit të IMT për ndërtimet pa leje ka shprehur haptas zhgënjimin e tij nga kryeministri Rama. Duke folur për mediat, 23-vjeçari tregoi se ka qenë emigrant prej 6 vitesh në Itali, dhe u rikthye në vendlindje për të ndërtuar të ardhmen.
“Unë jam Klodian Harusha, 23 vjeç, banor i Thethit. Kam qenë emigrant dhe kam luajtur si futbollist në Itali për 6 vite. U ktheva me idenë se ka të ardhme këtu por fatkeqësisht më duket se nuk ka…”, shprehet i riu.
Harusha rrëfen se u kthye nga Italia pas thirrjes së kryeministrit që të rinjtë të investojnë në tokat e të parëve, teksa tregon vështirësitë që i është dashur të kalojë pasi nuk arrinte të siguronte leje për të ndërtuar. Ai thotë se u rikthye në vendlindje me 7 mijë euro të kursyera për të investuar, ndërsa sot investimi i tij jo vetëm që po shembet, por edhe u gjobit me 58 mijë euro.
“U ktheva me fjalën e kryeministrit sepse beri thirrje që rinjtë të investojnë në tokat e të parëve. Unë u ktheva! Jam sorollat në bashki, asnjë info për paketën e maleve. Më kanë nxjerrë jashtë duke më thënë ‘shko kërko diku tjetër’. Pasi nuk më dhanë leje, bëra vete një ndërtesë druri që çmontohet për 2 orë, por më vunë 58 mijë euro gjobë dhe më thanë do të shembet. Po kështu do të shembet dhe shtëpia prej druri, ku jetoj aktualisht”, tha Harusha.
23-vjeçari që la karrierën e tij si futbollist në Itali, shprehet i zhgënjyer që erdhi në Shqipëri për të punuar në turizëm teksa thotë se gjendet i zhytur më 95 mijë euro borxhe.
Ai ka një thirrje të drejtpërdrejtë për kryeministrin Edi Rama, duke i kujtuar paketën e maleve dhe mbështetja e premtuar për rikthimin e të rinjve. Harusha kërkon prej kreut të qeverisë që të nxjerrë një plan zhvillimi dhe të japë leje për të ndërtuar në tokat e tyre.
“Kryeministrit do i kisha thënë të vejë në zbatim fjalët që ka thënë vete. Ku është paketa e maleve? Ku është mbeshtetja për rikthimin e të rinjve? Thethjanë me toka të zanuna nuk ka! Jemi prej 5 shekujsh në tokën tonë! Duhet të nxjerrë një plan zhvillimi dhe të na japë leje për të ndërtu në tokat tona, sipas rregullave”, ka theksuar 23-vjeçari.

