Bota
“U parandalua një masakër, Irani tentoi të vriste izraelitët në Qipro”/ Reagon ashpër ministri i jashtëm izraelit

Irani u përpoq të sulmonte izraelitët në Qipro, por autoritetet e Republikës së Qipros e parandaluan sulmin. Kështu ka deklaruar Ministri i Jashtëm i Izraelit, Gideon Saar. Në postimin e tij, ministri nuk specifikoi se çfarë lloj sulmi ishte ose kur ndodhi. Gideon Saar shkruan se trupi i Gardës Revolucionare Islamike, krahu terrorist i regjimit iranian, u përpoq të kryente një sulm kundër qytetarëve izraelitë në Qipro.
“Korpusi i Gardës Revolucionare Islamike – krahu terrorist i regjimit iranian – u përpoq të kryente një sulm ndaj qytetarëve izraelitë në Qipro. Falë aktivitetit të autoriteteve qipriote të sigurisë, në bashkëpunim me shërbimet izraelite të sigurisë, sulmi terrorist u pengua. Izraeli falënderon Qipron për veprimet e saj të shpejta dhe efektive. Regjimi kriminal iranian po synon qëllimisht civilët izraelitë si në Izrael ashtu edhe jashtë vendit. Izraeli do të vazhdojë të veprojë për të eliminuar kërcënimin ekzistencial që paraqet regjimi terrorist iranian.“, thuhet në postimin në “X” të Saar.
Autoritetet qipriote konfirmuan se kanë arrestuar një burrë britanik nën dyshimin për terrorizëm dhe vepra penale të lidhura me spiunazhin. Mediat në Qipro raportuan se i dyshuari kishte monitoruar bazën ushtarake britanike në Akrotiri, si dhe një bazë qipriote, që nga mesi i prillit. Ende nuk dihet nëse burri është i lidhur me komplotin e zbuluar nga ministri izraelit.

