Connect with us

Aktualitet

U premtonin qytetarëve banesa sociale kundrejt parave! GJKKO dënon me 5 vite e 8 muaj burg të pandehurit

Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (GJKKO) ka shpallur vendimin përfundimtar për tetë të pandehur të akuzuar se përmes një skeme mashtrimi premtonin dhënien e banesave sociale në DurrëS.

Gëzim Sylaj u shpall fajtor për disa episode të ushtrimit të ndikimit të paligjshëm në bashkëpunim me të tjerë. Ai u dënua gjithsej me 3 vite e 6 muaj burg, por për shkak të gjykimit të shkurtuar dënimi u ul në 2 vite e 4 muaj burg, të cilin do ta vuajë në një burg të sigurisë së zakonshme duke nisur nga arrestimi i tij më 19 nëntor 2024. Ai u dënua gjithashtu për “mbajtje pa leje të armëve të gjuetisë dhe sportive”.

Edhe bashkëpunëtorët e Sylajt, përfshirë Vasil Karasaliun, Viola Memën dhe Behare Luzin, u shpallën fajtorë dhe u dënuan me dënime nga 2 deri në 3 vite burg, por për shkak të uljes së dënimit me 1/3 sipas ligjit, dënimet përfundimtare variojnë nga 1 vit e 4 muaj deri në 2 vite burg.

Viola Mema dhe Behare Luzi përfituan gjithashtu nga bashkimi i dënimeve dhe u dënuan përfundimisht me 2 vite burg secila. Për Luzin, Gjykata urdhëroi pezullim të ekzekutimit të burgimit dhe vënien në provë për 4 vite, me detyrime për të komunikuar rregullisht me Shërbimin e Provës Durrës.

Enxhi Çelaj, e dënuar për dy episode të ndikimit të paligjshëm, u dënua përfundimisht me 1 vit e 10 muaj burg, por dënimi i saj u pezullua dhe ajo u vu në provë për një periudhë 3 vjet e 8 muaj, nën mbikëqyrjen e Shërbimit të Provës Durrës. Gazmend Panxha u dënua me 10 muaj burg, ndërsa Sokol Sylaj me 8 muaj burg (pas uljes me 1/3), të cilat gjithashtu u pezulluan me vendim gjykate, duke u vendosur në provë përkatësisht për 20 muaj.

Skema

Të pandehurit prezantoheshin si punonjës me funksione drejtuese dhe vendimmarrëse në dhënien e disa banesave sociale që ndodheshin në zonën e Spitallës, Durrës. Ata u premtonin qytetarëve banesa kundrejt përfitimit të shumës prej 15,000 euro, e cila do të shërbente për bllokimin e banesës dhe dhënies së “kafeve”. Personat e interesuar për banesa sociale, veç pagesës paraprake, do t’u dorëzonin të hetuarve dokumentacionin për procedurat standarde për përfitimin e banesës sociale. Më pas, personave të interesuar do t’u dërgohej një SMS konfirmimi nga ana e Bashkisë Durrës, periudhë kur sipas tyre do bëhej shpallja e fituesve ndërsa hyrja në banesë do të bëhej pas disa muajsh.

Advertisement