Aktualitet
U qëlluan me breshëri kallashnikovi, detaje nga atentati në Berat: Kush janë shënjestrat dhe autorët, si nisi konflikti
Zbulohen detaje të reja në lidhje me atentatin e dështuar me armë zjarri ndaj dy personave në lagjen “Donika Kastrioti” në Berat.
Mësohet se dy shënjestrat e atentatit kanë qenë Antonio Merkaj dhe Apostol Dhëmbi. Ata kanë qenë tek një karburant kur nga një automjet, tip “Ford” ngjyrë të zezë, është qëlluar në drejtim të tyre.
Merkaj dhe Dhëmbi kanë vrapuar nga karburanti në drejtim të spitalit, ndërkohë që makina i ka ndjekur nga prapa duke qëlluar me breshëri kallashnikovi në drejtim të tyre.
Ndërkohë që dy shënjestrat janë larguar në brendësi të lagjes “Donika Kastrioti”, atentatorët janë larguar me shpejtësi nga vendngjarja.
Fatmirësisht, asnjë nuk është plagosur nga breshëria e kallashnikovit, as shënjestrat dhe as kalimtarët e rastit. Mësohet se autorët e dyshuar të atentatit janë dy vëllezerit Fatjon dhe Marko Maloku, banues në lagjen “Donika Kastrioti” në Berat.
Sipas të dhënave, të siguruara nga burime konfidenciale, mësohet se konflikti mes dy grupeve ka nisur në shtetin grek. Mësohet se policia, pas identifikimit të autorëve, është duke punuar për kapjen e tyre.