Politike
U rizgjodh në krye të grupit parlamentar të PD/ Bardhi: Falenderoj zotin Berisha, do jap 100 për qind nga energjitë e mia

Kreu i Grupit Parlamentar të PD, u pyet në lidhje me rizgjedhjen e tij si drejtues i këtij grupi. Bardhi u shpreh se pozicionet dhe funksionet nuk janë privilegje, por përgjegjësi që ngarkohen.
Bardhi theksoi se ishte vendimmarrje e Sali Berishës për të propozuar emrin e tij ndërsa theksoi se do ta ushtrojë sa më mirë detyrën.
“Do jap 100 për qind nga energjitë e mia, falenderoj Sali Berishën dhe grupin e PD. Nuk kam kërkuar asgjë, asnjë shpërblim, nuk i kam vënë gishtin asnjë pozicioni apo përgjegjësie. Ai që drejton një ekip, ndan dhe detyrat e një ekipi. Berisha e ka gjykuar që të jem unë.”-tha Bardhi.
Nëse i druhej ndonjë gare përballë një kolegu, Gazment Bardhi u shpreh shkurt “aspak”. Më tej, Bardhi tha se ka drejtuar grupin e PD për dy vite në një situatë të tensionuar ndërsa theksoi se kanë pasur konflikt të brendshëm.
“Cilido merr pjesë në një familje të madhe si PD, kur propozohet për të ushtruar një përgjegjësi, duhet të ndjehet i privilegjuar dhe të japë më të mirë nga vetja. Kam drejtuar grupin e PD për dy vite në një situatë jo më optimalen e një grupi parlamentar edhe për shkak të asaj që ne kishim kaluar, në konfliktin tonë të brendshëm. Jam përpjekur t’i qëndroj korrekt përgjegjësive të mia. Kam dhënë më të mirën time si kreu i grupit dhe ndoshta eksperienca si drejtues i grupit ka shërbyer në vlerësimin e rrethanave që ka bërë kryetari i Partisë Demokratike.”-u shpreh Bardhi. Sa i përket deklaratës së Bujar Leskajt i cili nuk ishte dakord me rizgjedhjen e Bardhit në krye të Grupit Parlamentar të PD, Bardhi u shpreh se nuk ka asnjë koment dhe është mëse normale që dikush të shprehë mendimin e tij.

