Connect with us

Bota

U shpall fajtor për 34 akuza, reagon për herë të parë Donald Trump

Donald Trump ka reaguar në rrjetet sociale pasi u shpall fajtor për 34 akuza.

Në një mesazh të gjatë në platformën “Truth Social”, ai kërkoi të minimizonte provat në gjyq, duke pretenduar se “nuk ishte i përfshirë” në shkrimin e “shpenzimeve ligjore” në të dhënat e biznesit dhe duke shprehur mosbesimin se një gjë e tillë do të konsiderohej krim.

“Kontabilisti im e quajti ‘Shpenzime Ligjore’, në linjën e përshkrimit ‘të vogël’ të librit, një ‘shpenzim ligjor’, i paguar për avokatin tim, në atë kohë avokat plotësisht i akredituar dhe kredibil. Unë nuk isha i përfshirë në atë emërtim, por si do ta kishit quajtur tjetër ndryshe, në fakt, një shpenzim, ky është i ashtuquajturi ‘krim’”.

“Nëse ata mund ta bëjnë këtë për mua, ata mund t’ia bëjnë këtë kujtdo,” tha Trump.

Donald Trump u bë ish-presidenti i parë që u dënua për vepra penale pasi një juri në New York e shpalli atë fajtor për falsifikimin e dokumenteve për të fshehur një pagesë në këmbim të heshtjes së një aktoreje të filmave pornografikë, përpara zgjedhjeve të 2016-ës.

Trump u shpall fajtor për 34 akuzat që ishin ngritur ndaj tij. Vendimi i fut Shtetet e Bashkuara në një terren të panjohur përpara zgjedhjeve presidenciale të 5 nëntorit, kur Trump, kandidati republikan, synon të fitojë garën për Shtëpinë e Bardhë përballë presidentit demokrat Joe Biden.

Më 11 korrik do të dihet forma se si do të dënohet, me burg, para ose te dyja.

Advertisement