Connect with us

Rajon

U shpall në kërkim ndërkombëtar, Fetai: Artan Grubi fshihet në Shqipëri

Zv/Kryeministri për Politikat dhe Sundim të Mirë në Maqedoninë e Veriut, Arben Fetai ka ngritur dyshime se ish-zv.kryeministri Artan Grubi fshihet në Shqipëri. Deklarata e tij vjen disa ditë pasi Grubi u shpall në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet maqedonase. Në një prononcim Fetai tha se Artan Grubi u arratis përmes Kosovës me një makinë diplomatike dhe më pas ka ardhur në Shqipëri për t’u fshehur.

“Po, Artan Grubi është arratisur! Është arratisur me një veturë diplomatike përmes Kosovës dhe në bazë të informatave që i kemi ai gjendet në territorin e Republikës së Shqipërisë. I bëjmë thirrje Artan Grubit që të kthehet. Në vendin tonë si në çdo vend demokratik vlen prezumimi i pafajësisë derisa nuk është dëshmuar e kundërta, ndaj shfrytëzoj rastin edhe njëherë ti bëj apel ish-zv/kryeministrit Grubi që ti qëndrojë fjalëve të tij, të mos ikë nga drejtësia, të kthehet në vend dhe të dëshmojë atë që ka për të dëshmuar për aktakuzën që i është ngritur,”- u shpreh Fetai

Ish-zëvendëskryeministri i Maqedonisë së Veriut, Artan Grubi dhe ish-drejtori i Lotarisë Shtetërore Përparim Bajrami, janë shpallur në kërkim ndërkombëtar. Grubi dhe Bajrami akuzohen se janë bashkëpunëtorë në kryerjen e veprës penale “Mashtrim në Shërbim” sipas nenit 354 të Kodit Penal që parashikon dënim të paktën katër vjet burg. Të dy kanë shkaktuar mbi 500 milionë denarë ose rreth 8,2 milionë euro humbje në Lotarinë Shtetërore. Artan Grubi, u shpall non grata nga SHBA, pasi akuzohet se është përfshirë në korrupsion. Ai dyshohet se ka pranuar ryshfet për të minuar proceset gjyqësore të lidhura me dënimin penal të Sasho Mijalkovit, ish-drejtorit të shërbimit sekret./ZËRI

Advertisement