Aktualitet
U vodhën në Europë dhe SHBA me qëllim shitjen në Shqipëri, sekuestrohen 4 makinat me vlerë 200 mijë euro në Tiranë
Vijon operacioni policor i koduar “Stolen Line”, në kuadër të të cilit janë sekuestruar katër automjete luksoze dhe janë proceduar penalisht dy shtetas, ndërsa dy të tjerë janë shpallur në kërkim.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, si rezultat i hetimeve për goditjen e aktivitetit të trafikimit të automjeteve të vjedhura, kanë identifikuar dhe referuar materialet në Prokurori ndaj disa shtetasve.
Sipas policisë, është nisur procedimi penal ndaj shtetasit S. C., i cili dyshohet se ka trafikuar një automjet tip “Jeep”, me qëllim shitjen në Shqipëri, i cili rezulton i vjedhur në Itali.
Po ashtu, procedim penal është nisur edhe ndaj shtetasit E. Ç., i cili dyshohet se ka trafikuar një automjet tip “Range Rover”, i cili rezulton i vjedhur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Ndërkohë, janë shpallur në kërkim shtetasit E. J. dhe R. R. I pari dyshohet se ka trafikuar një automjet tip “BMW”, i vjedhur në Gjermani, ndërsa i dyti një automjet tip “Seat Cupra”, i vjedhur në Itali, të dy me qëllim shitjen në Shqipëri.
Katër automjetet e sekuestruara, me një vlerë totale rreth 200 mijë euro, janë marrë në cilësinë e provës materiale.